RCCOLA

Bien për 50% ankesat e bizneseve ndaj ATK-së

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Drejtuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), për luftimin e dukurisë negative të ikjes nga detyrimet ligjore dhe evazionit fiskal.

Në një diskutim të mbajtur në zyrët e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ku përveç afaristëve morri pjesë edhe drejtori I ATK-së Behxhet Haliti, u potencua se ikja nga tatimet përveç që e dëmton buxhetin e shtetit, e dëmton edhe konkurrencën lojale, përkatësisht bizneset e përgjegjshme.

Kryetari i AKB-së Agim Shahini në këtë drejtim potencoi se nuk duhet të ketë standarde të dyfishta. “Nuk duhet që dikush të jetë më I privilegjuar se tjetra palë, apo në këtë drejtim të mos vihet deri te humbja e besimit tek institucionet tona taksambledhëse”, tha Shahini.

Sidoqoftë, kreu i AKB-së Agim Shahini potencoi se ankesat e bizneseve ndaj ATK-së kanë rënë vitet e fundit.
Në Bordin e Pavarur të ankesave per rishqyrtime në vitin 2008 nga biznesi janë adresuar 259 ankesa, në vitin 2009 kanë qenë 243 ankesa, 2010 kanë qenë 245, përderisa në vitin 2011 kanë ra në 166, kurse në 2012 ka pasur vetëm 85 ankesa dhe nga kjo del se 50 për qind ka rënie të ankesave ndaj ATK-së.

Sipas hulumtimeve të AKB-së arsyet e rënies së ankesave kanë qenë profesionalizmi i ATK-së si dhe i ngritjes së kulturës fiskale të vet bizneseve që ti paguajnë obligimet e tyre.

Trajtim të barabartë kërkoi edhe afaristi Ruzhdi Kadriu. Sipas tij nuk mund të merret me mend se në vitin 2014 ende ka biznese që bëjnë shmangie nga tatimet. “Evazioni fiskal i dëmton jo vetëm buxhetin e shtetit por të gjitha bizneset të cilat zbatojnë ligjin”, tha Kadriu.

RCCOLA

Edhe afaristi Burim Piraj kërkoi që të mos privilegjohet dikush nga ikja e pagesës së detyrimeve. “Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kërkesa jonë kishte me qenë të vazhdohet me punën që të shkohet drejt eliminimit të keqpërdoruesve në fshehjen e tatimit. Ne duhet të jemi shumë të hapur edhe pse në shoqërinë tonë është bërë shumë vështirë që dikush të denoncohet për mos-pagesë të tatimit”, tha Piraj.

Sipas tij ikja nga tatimet e dëmton edhe konkurrencën dhe ekonominë. Prandaj ai u shpreh I gatshëm që bashkë si biznese, përkatësisht si AKB dhe ATK të punohet në luftimin e kësaj dukurie.

Drejtori i ATK-së Behxhet Haliti me këtë rast tha se që nga koha kur ka ardhur në detyrë, është shënuar përmirësim në çështjen e luftimit të evazionit fiskal. “Në periudhën e njëjtë të vitit 2009 kemi pasur mbi 2000 tatimpagues, deklarues TVSH-së që kanë importuar 1-2 milionë euro, si dhe 600 tatimpagues që kanë qenë importues të vegjël. Po flas për muajin e dytë kur ia kam nis punës dhe sot ka rreth 432 deklarues TVSH-së që si kanë deklaruar tatimet më shumë se 4 muaj… dhe jemi duke trajtuar çdo muaj”.

Më tej drejtori Haliti tha se për këto dy vite kanë publikuar 4388 tatimpagues dhe kanë për synim që deri në fund të prillit rreth 5000 tatimpagues t’i tërheqin certifikatat e TVSH-së. “Dhe ky është ai zotimi jonë për trajtim të barabartë”, tha Haliti.

Për sa i përket bizneseve joaktive që thuhet se janë rreth 120 mijë, drejtori i ATK-së tha se synimi është që deri në fund të prillit 50 mijë tatimpagues ti’ publikojnë në listën e bizneseve joaktive.

Ankesat e bizneseve kishin të bënin edhe me sjelljet e zyrtarëve të ATK-së. Drejtori Haliti pranoi se nuk janë të gjithë profesionalë, për këtë arsye vetëm vitin e kaluar janë arrestuar me ndihmën e policisë 4 zyrtarë si dhe janë shqiptuar 32 vërejtje. /Telegrafi/