Mobi Casa

“Bien çmimet e naftës, por jo edhe të produkteve tjera”, Kaçaniku: Shporta e konsumatorit para rreth 10 vitesh ka kushtuar 115 euro, ndërsa sot nuk dihet

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Pavarësisht që tri ditë më parë çmimi i naftës ra në tregjet ndërkombëtare, kjo nuk ka reflektuar edhe në rënien e çmimeve në produktet e konsumit në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se çmimi i naftës në treg sot është 1.40 cent, ndërsa i benzinës është 1.35 cent.

“Në berzën ndërkombëtare çmimet kanë rënë dhe kjo po reflekton edhe në vendin tonë. Çmimi i naftës në tregun tonë sot sillet 1.40 cent, ndërsa i benzinës është 1.35 cent, plus-minus diku që janë më lirë, por edhe më shtrenjtë”, ka thënë Berjani.

Një ditë më parë sipas Berjanit, çmimi i naftës në vend ka qenë nga 1.45 cent deri në 1.55 cent.

“Për pesë a gjashtë cent ka rënie sot çmimi i naftës në Kosovë. Diku më shumë e diku më pak, pasi ka shumë derivate që kanë stoqe me çmime shumë të larta. Edhe kjo ndikon. Po qytetarët kanë shanse të zgjedhin dhe të furnizohen ku është më mirë dhe më lirë. Jemi shteti më i vogël në botë me më shumë pika karburanti, kështu që qytetarët mund të zgjedhin ku të duan për t’u furnizuar”, u shpreh Berjani.

Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nëse berza botërore i rregullon çmimet, importuesit apo furnizuesit me shumicë me derivate të naftës në Kosovë, mund ta mbajnë çmimin e moçëm derisa kanë stoqe derivatesh të importuara me çmimin më të lartë.

I pyetur se nëse zbritja e çmimit të naftës në vend duhet të reflektojë edhe në zbritjen e produkteve tjera në Kosovë, ai tha: “Po, duhet. Por…?!Berza Botërore i rregullon çmimet! Në anën tjetër kjo ‘Por’ krijon mundësi për ta ‘politizuar’ situatën, për ta mjegulluar…dhe për t’i dhënë ndokujt hapësirë manovrimi. Importuesit / furnizuesit me shumicë me derivate të naftës mund ta mbajnë çmimin e moçëm derisa kanë stoqe derivatesh të importuara me çmimin më të lartë. Por, prapë ‘por’, ata asnjëherë nuk kanë reaguar kur është dashtë ta zbresin çmimin. Në anën tjetër, rreth ngritjes së çmimeve gjithmonë kanë reaguar menjëherë”.

Selatin Kaçaniku, kryetar i Shoqatës “Konsumatori”
Kaçaniku theksoi se në Kosovë është simptoma e “tregut të mbyllur”, tregut të monopolizuar për të cilin siç u shpreh ai “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon ta prek”.

“Nuk guxon ta prek sepse po kjo Qeveri, e të gjitha legjislaturat komunale e vendore, i ka krijuar rreth 550 pika derivatesh tepricë, duke ia ‘mbyllur’ kështu vetvetes gojën dhe rrugët e intervenimit, komunikimit serioz e korrekt ekonomik, ani se një pjesë e mirë e tyre, për të ekzistuar, duhet të abuzojnë me çmime, me sasi, me cilësi, me… ?!”.

Eco Higjiena

Sipas tij, po t’i kishte lënë vetes udhë Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, ATK-së, Doganës dhe MINT-in me lehtësi do ta rregullonte tregun dhe çmimet e derivateve të naftës.

I pyetur se sa kushton një shportë e konsumatorit në Kosovë, ai tha: “Shporta e fundit e konsumatorit para rreth 10 vitesh ka kushtuar 115 euro. Qeveria, as miqtë ndërkombëtarë, nuk duan, nuk guxojnë, nuk e kanë me interes…që ta mbështesin ndonjë nga organizatat e shoqërisë civile për ta bërë një anketë e studim të pavarur për ta mat vlerën aktuale të shportës së qytetarit / familjes konsumatore”.

Për këtë arsye, Kaçaniku theksoi se vitin e kaluar shoqata që ai drejton patë shpallë “moratorium-ngrirje të aktiviteteve”.

“Për arsye edhe të këtij lloji të sabotimit të kauzës së qytetarit / familjes konsumatore, më 15 mars të vitit të kaluar, ‘Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit”, OJQ ‘Konsumatori’ shpalli moratorium, i ngriu aktivitetet – duke pritur e shpresuar që Qeveria dhe MINT-i do të vetëdijësohen për mandatet që i kanë dhe për obligimet karshi kauzës së qytetarit konsumator taksa-pagues”.

Vetëm gjatë periudhës së pandemisë, ai tha se aftësia blerëse e qytetarit taksapagues është ulur për minimum tri herë.

“Duke i ndjekur nga afër këto lëvizje, para tre vitesh Qeverisë ia pata paralajmëruar rrezikun / mundësinë e falimentimit të qytetarit / të familjes së varfër konsumatore. Para dy vitesh Qeverinë e Republikës së Kosovës, me një reagim publik dhe nëpërmes shumë intervistave, e rikujtova se 30 %-shi i qytetarit / familjes konsumatore të varfër ka falimentuar”, u shpreh tutje Kaçaniku.

Siç theksoi ai “tani rreziku i falimentimit i kërcënohet ‘shtresës së mesme’ të qytetarit dhe familjes konsumatore”.

“Shihet qartë se edhe kjo Qeveri e Republikës së Kosovës po krijon ekonomi, treg, buxhet…e mirëqenie sociale / standard jetësor duke e shfrytëzuar si ‘patericë / kërroqe’ mërgatën dhe diasporën e cila i ofron Republikës së Kosovës afro 2 miliardë euro infuzione financiare vjetore”, tha ndër të tjera Kaçaniku për Telegrafin. /Telegrafi/