UBT

Bieber: Serbia mori mbështetje më të madhe se asnjëherë në dialog me Kosovën prej 24 shkurtit 2022

/ 3 minuta lexim

Politologu austriak Florian Bieber e ka shkruar një opinion të titulluar “Akti i inskenuar balancues i Beogradit” ku e akuzon Serbinë për mashtrim sa i përket pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare, dhe veçanërisht në lidhje me agresionin rus në Ukrainë. Çka thuhet tjetër?

Profesori që merret aktivisht me rritjen e autoritarizmit në Ballkanin Perëndimor e denoncon regjimin e Vuçiqit pikërisht për autoritarizëm derisa nënkupton se ambivalenca aktuale gjeopolitike e Serbisë i shërben vetëm kësaj agjende të tij.

Fillimisht, ai e nis shkrimin e tij duke pretenduar që Serbia e ka pasur mundësinë që të heqë dorë nga ambivalenca në fjalë duke u rreshtuar në mënyrë të qartë me Perëndimin. Por, Vuçiqi nuk e bëri.“Politika e jashtme kontradiktore e Serbisë ka përfshirë dënimin e agresionit rus dhe shitjen e armëve për Ukrainën derisa nuk vinte sanksione kundër Rusisë.” – ilustron z. Bieber në fjalët e tij.

Sipas tij, mundësia që Serbia të pozicionohej qartë ishte e madhe pas 24 shkurtit 2022.

Eco Higjiena

Ai shprehet i bindur se përpjekjet e Perëndimit që ta bëjnë Serbinë të mos rreshtohet krejtësisht me Lindjen (Rusinë e Kinën) nuk do të japin rezultat shkaku që është vetë regjimi i Vuçiqit që fton ndikimin e tyre në vendin e tij.

Bieber pretendon megjithatë se ambivalenca gjeopolitike e Serbisë nuk është thjesht pjesëë e politikës së jashtme të regjimit të Vuçiqit, por diçka e ngulitur më thellë së brendshmi.

Gjatë analizës së tij, Bieber përmend edhe bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë duke besuar që kjo e fundit ka marrë mbështetje më të madhe se asnjëherë nga Perëndimi.“Për më tepër, gjatë bisedimeve të udhëhequra nga BE-ja dhe ShBA-ja mes Serbisë dhe Kosovës, pozicionet e Serbisë morën mbështetje domethënshëm më të madhe se para invazionit rus në Ukrainë.” – shkruan ai.

Ndoshta, edhe disa gabime në hapa nga Qeveria e Kosovës kanë ndihmuar në këtë drejtim? Ndoshta.“Politika serbe e ambivalencës nuk i sjell përfitime Serbisë, BE-së e as ShBA-së.” – thuhet në shkrimin e tij, ku propozohet që të rritet ndikimi i shoqërisë civile në Beograd për t’i bërë presion regjimit që të japë më shumë liri për mediat.“Problemi kryesor në Serbi nuk është ambiguiteti i saj gjeopolitik por më shumë regjimi i saj autoritar që ushqen sentimentin anti-Perëndimor.” – përfundon Bieber.