RCCOLA

Bie Perdja! – Mbyllet “Talia e Flakës 2024”, shfaqja “CLUB ALBANIA” e TKK-së duartrokitet gjatë nga publiku

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Mbrëmja e gjashtë e festivalit të dramës kombëtare “Talia e Flakës 2024”, ishte rezervuar për shfaqjen e trupës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, “CLUB ALBANIA”, me të cilën është mbyllur edicionin e 33-të.

Shfaqja sipas sinopsisit përshkruhet të jetë bazuar në komedinë “Pas vdekjes” të Çajupit, e vënë në skenë nga një ekip i dëshmuar në vazhdimësinë teatrale kosovare: Regjisor: Fatos Berisha; Dramaturg: Shpetim Selmani; Kompozitore: Rona Castrioti Berisha; Skenograf: Bekim Korça; Kostumografe: YIlka Brada; Koreograf: Robert Nuha; Asistente regjie: Yllka Lota, si dhe kasta e aktorëve: Armond Morina, Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumovic, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi.

Në fakt “CLUB ALBANIA”, kishte zgjuar interesim të shtuar tek audienca gjilanase për një mori arsyesh: e njëra nga to – mbase kryesore, ishte pikërisht jehona e namit që gëzojnë aktorët dhe pjesa tjetër e ekipit.

Ndërsa paralajmërimi se shfaqja ishte vënë në skenë si dramatizim i komedisë së Çajupit “Pas Vdekjes”, ishte arsye shtesë që publiku të jetë i vëmendshëm që të mos i lejonte rastësisë (pa)mundësinë e prezencës për ta pa këtë komedi nga më të dashurat që nga bankat e shkollimit fillestar, si pjesë e planprogrameve mësimore.
Në fakt, gjatë rrjedhës së shfaqjes publiku e kupton se “CLUB ALBANIA” nuk ishte dramatizim i komedisë së Çajupit, gjegjësisht kryeveprës së dramaturgjisë shqipe – komedisë që i ka bërë vend nderi në “piedestalin” letrar e krijues/artistik autorit, krahas komedisë tjetër të tij, “14 vjeç dhëndër”.

Autori i tekstit nuk mund të thuhet që ka marrë madje as motivin e kryeveprës së Çajupit, nga komedia “Pas Vdekjes”, porse ka qenë i vëmendshëm që të marrë pretekstin për të krijuar një vepër të tij të jashtëzakonshme, si referencë për inskenim, për ta vënë në s’provë në atë mënyrë një realitet të krijuar enkas për shfaqje, të bazuar në aktualitetin e përditshmërisë, të së tashmes dhe të së kaluarës së shoqërisë, duke pretenduar të përçoj mesazhin se askush nga jashtë nuk do ta bëjë atë që duhet bërë vet shoqëria jonë – ngritjen e vetëdijes kolektive – duke i demaskuar paralelisht dobësitë dhe të metat, si dhe për të vendosur të ardhmen e përbashkët kolektive në plan të parë, para interesave individuale.

Sipas përshkrimit të shkurtër theksohet se “CLUB ALBANIA” është komedi që hedh dritë mbi aktualitetin e një shoqërie e cila prej vitesh është nën hijen e reflektimit, që pretendon kërkimin e së vërtetës si dhe nevojën absurde për art.

RCCOLA

Kujdesi i vazhdueshëm për të mbajtur gjallë e lart vëmendjen e publikut me sensin e hollë të humorit gjatë rrjedhës së shfaqjes; veprimet e sakta të aktorëve që vinin natyrshme edhe në harmoninë e ndërvarjes skenike krahas dialogjeve kuptimplotë e të efektshme; si dhe një mori çështjesh tjera që përbënin shfaqjen e strukturuar dhe realizuar në mënyrë profesionale nga regjisori, ishin vetëm disa nga pjesëzat e mozaikut të tërësisë së saj.

Ndërsa përzgjedhja adekuate e kastës së aktorëve, puna e përkushtuar në procesin e përgatitjes, e veçmas aplikimi i praktikave bashkëkohore – formave të reja teatrale – duke e zhvendosur herë-herë lojën në podium, shumë pranë publikut, ku spikati interferimi dhe hyrja në skenë e profesorit, ishin elemente shtesë që e sforconin lidhjen reciproke në relacionin aktorë-publik, për ta mbajtur të tillë deri në përfundim, madje shumë natyrshëm.

Shfaqja u vlerësua nga artdashësit prezentë, ndërsa ishte më se e qartë që regjisori ka analizuar deri në detaje veprimet skenike të ekipit si dhe kalimet nga njëra në tjetrën skenë në mënyrë të natyrshme, për të mbajtur “pezull” vëmendjen gjatë tërë rrjedhës dhe kohës.

Këto veçori e bënë realizimin e TKK-së shfaqje kuptimplote për festivalin “Talia e flakës 2024”, e cila mbase i ka lehtësuar punën jurisë vlerësuese kredibile, që pritet të bëjë të ditur vendimin gjatë ditëve në vijim.

Edhe pas përfundimit shfaqja u vlerësua dhe pranua mjaft mirë nga publiku e kritika, ndërsa loja e aktorëve ishte ajo që spikati duke e bërë dallimin, ndërsa “barra” e rëndë e prestigjit që bartin mbi supet këta të fundit, “u përligj” edhe me duartrokitjet e gjata të fituara nga ana e publikut gjilanas.

Kujtojmë që rezultatet e Jurisë Vlerësuese të Festivalit do të shpallen në Gala Mbrëmje të paraparë të mbahet më 31 janar në resortin ekskluziv – Vali Ranch./rajonipress/