RCCOLA

Biden, Dacicit: E njoh Betejën e Kosovës, heronjtë tuaj… por, harrojeni historinë

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Nënkryetari amerikan, Joseph Biden, i ka porositur serbët që të mburren me historinë e tyre, ndërsa ka theksuar se fascinohet me Betejën e Kosovës, këngët epike serbe dhe heronjtë si Kopiliqi.

Biden ka vizituar dy herë Manastirin e Deçanit. Për herë të parë si senator në vitin 2001, dhe të dytën herë më 2009. Në të dy rastet ka biseduar me murgjit dhe serbë tjerë aty.

Siç shkruan Kurir, Biden para disa ditëve, gjatë një takimi në Washington me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, ka dëshmuar “njohuri të mëdha për historinë serbe”.

Rrëfimi për Betejën e Kosovës nisi rastësisht. Duke folur për origjinën e tij, Biden tha se “serbët dhe irlandezë janë shumë të ngjashëm, sepse ata të dy kanë një popull krenar”, ndërsa theksoi se “fascinohet nga Beteja e Kosovës”.

“Unë me origjinë jam irlandez. Ne jemi popull krenar, ashtu si ju serbët. Nuk e japim veten dhe këtu jemi të ngjashëm. E kam studiuar historinë tuaj dhe duhet të pranoj se di shumë për ju. Sidomos, më ka fascinuar Beteja e Kosovës. Kam studiuar betejën e famshme që ndodhi më 1389. Kam lexuar këngët tuaja epike që flasin rreth heroizmit të asaj kohe. Ju duhet të jeni krenarë për historinë tuaj, sidomos në Kosovë. Unë e di kush është Millosh Kopiliqi, vëllezërit Jugoviq”, ka thënë Biden, transmeton Kurir.

Mobi Casa

Kryeministri serb, Dacic, iu përgjigj kështu: “Keni të drejtë, Kosova është djepi i Serbisë dhe serbizmit, prandaj është vështirë popullit tim t’ia shpjegoj tërë këtë, sidomos pse e kemi nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit. Sidomos njerëzve të lindur në Kosovë, për shkak të nderit dhe historisë së tyre, të cilët e kanë të vështirë të pranojnë tërë këtë. Nuk mund të pajtohen që diçka t’ju merret me dhunë”, ka thënë Dacic.

Biden tha se edhe irlandezët kanë kaluar në probleme të ngjashme, duke iu referuar marrëdhënieve mes Irlandës dhe Britanisë së Madhe.

“Gjyshi më tha se Irlanda duhet të luftojë për territor! Megjithatë, ne duhet të shikojmë realitetin, duhet të shkojmë më tej. Ja, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në procesin e integrimeve evropiane, ta merrni datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, ka thënë Biden, duke cituar një fjali të James Joycet se “historia është një ankth nga i cili përpiqem të zgjohem”.

Dacic për fund ka thënë: “E pra, vetëm për shkak të ngjashmërive në mes nesh, unë personalisht do të doja të shihja marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE, në kohën kur Irlanda ka presidencën e Unionit, e që skadon në fund të qershorit”.

Bideni ka qeshur dhe ka thënë se Serbia e ka mbështetjen e plotë të tij. Me këtë rast, ai vuri në dukje përparimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe shprehu mbështetjen për integrimin evropian të Serbisë, me pikëpamjen se “nuk ka Evropë stabile pa Serbinë në të”. /Telegrafi/