KKVITI

Biblioteka “Skënderbeu” në Përlepnicë – u pasurua me 165 vepra letrare

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Një grup i krijuesve të artit letrar, nga Gjilani, të enjtën e vizituan Shkollën fillore “Skënderbeu” në Përlepnicë dhe mbajtën një orë të suksesshme letrare para shkollarëve të këtij lokaliteti. Fillimisht, Fidan Shaqiri, drejtor shkolle tha se, ju krijuesit e artit letrar, sot na keni nderuar ne, por po e nderoni kolektivin dhe shkollarët e shkollës sonë. “Po e ndjejmë një kënaqësi që në mesin tonë gjenden disa prej emrave që po krijojnë çdo ditë vepra letrare për të gjithë. Të gëzuar janë edhe shkollarët e kësaj vatre të dijes, të cilët, mezi po presin t’i lexojnë punimet e tyre letrare”.

Ndërsa, Sheribane Mehmeti, profesoreshë e gjuhës shqipe tha se, asnjëherë shkolla jonë nuk ka pasur mysafirë më të nderuar se këta krijues. “Shihni, vetëm pak ditë më parë patëm 71-vjetorin e “datëlindjes” së shkollës sonë. Ishte një ditë e veçantë e kësaj “datëlindje”, sepse evokuam shumë ngjarje dhe shumë emra që ka dhënë kjo shkollë fshati”.

Ajo shtoi edhe këto fjalë për të arriturat e këtij tempulli të dijes:
“Ne sot krenohemi që kemi një shkollë që ka një rrugëtim të hershëm të punës. Nga ky tempulli i dijes kanë kalë me qindra intelektualë, doktorë shkencash e profesione të tjera të dijes. Vlen t’i përmendim personalitet e dala nga gjiu i kësaj vatre shkollore, si janë: Fehmi Salihu, Mulla Hyseni, Hysen Shabani, Zija Shemsiu, Hydajet Hyseni, Reshat Hoxha, Xhavit Ahmeti, Fehim Rasimi, Bajrush Nevzadi, Magribe Kamberi e shumë të tjerë. Xhavit Ahmeti ishte arsimdashësi më i madh i këtij lokaliteti, por edhe i krejt Kosovës. Prandaj, ne mburremi me këta njerëz të dijes, të cilët lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë si intelektualë”.

UBT

Pas këtyre fjalëve, shkollarët e kësaj vatre të arsimit fillor, punimet e tyre, në poezi e prozë, i lexuan para krijuesve gjilanas dhe arsimtarëve të tyre. Ishte një numër i madh i tyre, të cilët, vargjet e tyre ia kushtuan dëshmorëve, shkollës, jetës, mësuesit, punës, natyrës etj. Në këtë orë letrare pati edhe shpërblime për shkollarë. Andaj, tre shkollarë u shpërblyen me nga disa vepra letrare për poezitë më të mira të kësaj ore letrare, si janë: Elaresa Xhelili, i takoi vendi i parë, Kujtesa Nexhipi mori vendin e dytë dhe Verona Kamberi mori vendin e tretë.

Ndërsa, në këtë orë letre, punimet në vargje nga krijuesit gjilanas, i lexuan këta poetë: Demir Behluli, Shefik Shkodra, Shaip Bllaca, Mehmeali Rexhepi, Hysen Këqiku, Tefik Selimi, Blerim Misini, Demir Krasniqi, Shaban Shemsiu dhe Abdylhaki Shaqiri (dy të fundit vendas). Ajo që ia vlen të shtohet, është fakti se, krijuesit nga Gjilani, bibliotekës së shkollës në fjalë i dhuruan më tepër se 165 vepra letrare. Hysen Këqiku, dhuroi mbi 125 vepra; Demir Krasniqi dhuroi 50 vepra; Shefik Shkodra dhuroi 8 vepra nga opusi i tij letrar. Vepra letrare dhuruan edhe krijuesit të tjerë të kësaj ore letrare.

Me këtë rast, krijuesit letrarë patën rastin të vizitojnë nga afër muzeun e shkollës. Në fund të kësaj ore letrare, Demir Behlulil, piktor e krijues tha se, asnjëherë nuk e harroj mësuesin tim nga ky mes, Fehmi Salihun, ai i cili erdhi në Preshevë dhe na solli dashurinë të madhe ndaj shkollës, librit e ndaj gjuhës shqipe. “Ky qe mësuesi im, i cili tash mungon, por tek unë kanë lënë mbresa të thella si arsimdashës i madh i shkollës shqipe”, tha në fund D. Behluli, krijues e piktor nga Gjilani. /tefik selimi/rajonipress/