UBT

Biasi: Vit i mirë për kombëtaren e Shqipërisë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gianni de Biasi vitin 2012 e ka vlerësuar si të suksesshëm për Kombëtaren e Shqipërisë. Strategu italian ka pohuar se gjatë këtij viti ekipi kuq e zi ka shënuar progres, andaj atë e ka notuar me 7-she. Ai është optimist se në vitin e ardhshëm Shqipëria do të përparojë edhe më shumë.

Për dallim prej viteve të kaluara, gjatë vitit 2012 Shqipëria e ka pasur një përfaqësuese dukshëm më të fortë. Kështu ka vlerësuar para disa ditëve kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka, i cili për këtë vit ekipin kuq e zi e kishte notuar me 10-she.

Ndërsa, edhe selektori i kuqezinjve, Gianni de Biasi, thotë se gjatë vitit që po e lëmë pas Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar progres të theksueshëm. Mirëpo, ai nuk e ekzagjeron. Strategu italian ekipit të tij për vitin 2012 ia ka dhënë një notë të mirë, 7-she.

De Biasi i ka lavdëruar futbollistët e ekipit të tij për kontributin e madh që po e japin në ngjyrat e fanellave kuq e zi.

“Konsideroj se nota 7 është tamam, edhe atë për shkak të vullnetit shumë të madh që e kanë për punë djelmoshat e ekipit”, ka deklaruar tekniku italian në ‘Procesin Sportiv’.

Mobi Casa

Ai ka folur fjalë të mira për ekipin kombëtar shqiptar, për të cilin ka thënë se ka të ardhme të ndritur.

De Biasi është i kënaqur me rezultatet e arritura deri më tani me kuqezinjtë, ndonëse ka pranuar se në kuadër të kualifikimeve për botërorin ‘Brazili 2014’ ekipi i tij ka mundur të fitojë më shumë pikë.

Nën udhëheqjen e tij, kuqezinjtë i kanë fituar gjashtë pikë në kuadër të kualifikimeve falë fitoreve ndaj Sllovenisë e Qipros, derisa i kanë pësuar dy humbje – një nga Zvicra, kurse tjetrën nga Islanda në Tiranë, gjë që nuk ishte pritur.

Si përzgjedhës i Shqipërisë, De Biasi ka treguar se kujt ka vendos t’ia japë votën për çmimin e futbollistit më të mirë në botë për vitin 2012. “Për mua Iniesta është më i miri, por vota shkon te Messi”, ka theksuar ai.(express)