UBT

Betohet Vjosa Osmani: LDK kurrë nuk bën më koalicion me PDK’në

/ 3 minuta lexim

Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka takuar të martën simpatizantët dhe strukturat e LDK-së në Klinë, të cilëve u tha se nevojitet mobilizim nacional sikur në vitet ‘90. Ajo premtoi se asnjëherë nuk bëjnë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, për të cilët tha se janë sinonim i korrupsionit.

Vjosa Osmani tha në Klinë që sot rrezikohet që shteti të dështojë shkaku i njerëzve që duan ‘ta gërryejnë’ shtetin përbrenda, dhe që asnjëherë nuk e kanë pasur parësor interesin e qytetarëve. Osmani tha se është koha që disa të shkojnë në opozitë e disa që e kanë shkelë ligjin e kanë vendin në burg.

“Le të harrojnë ata që dalin e flasin që LDK shkon në koalicion me PDK-në, kurrë më nuk të ndodhë ajo punë. Ju e dini që këtë punë e keni të garantuar, sepse qytetarët e Kosovës i kemi dëshmitarë që kurrë s’e kam tradhtuar besimin tuaj. Ata që besojnë në konspiracione, ata që frikësohen nga vetja e tyre ndoshta mund të shkojnë aty, është ‘JO’ e madhe, LDK nuk shkon me ata që janë sinonim i korrupsionit, nuk shkon edhe pikë”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, ka ardhur koha që Republika e Kosovës t’i kthehet qytetarëve, dhe se këtë do ta bëjë LDK. “Formulën e fitores do ta ndërtojmë bashkë me ju, qeverisjen e ardhshme do ta bëjnë bashkë me ju, andaj kudo qe shkojmë themi që pas 29 vjetësh abuzimi, rrena që janë paraqit para secilit prej jush, pas 20 vjetësh që ju keqpërdorur besimi, ka ardhur koha që Republika e Kosovës t’i kthehet qytetarëve, sepse ju e keni ndërtuar, dhe ju takon juve”, tha Osmani.

Hidromorava

Ajo tha që Kosova sot rrezikohet nga njerëz të padijshëm, të cilët mendojnë vetëm për xhepin e tyre, por jo edhe të ardhmen e qytetarëve të vendit.

“Shteti ynë sot rrezikohet nga të padijshmit, nga njerëzit që nuk shohin interes tjetër pos xhepit të tyre, shteti rrezikohet nga njerëz që nuk ndërtojnë projekte për ju, por për xhepat e tyre. A jeni të gatshëm edhe 20 vjet me iu dhënë atyre që ju keqpërdorën besimin? A jeni të gatshëm edhe 20 vjet për të shkëmbyer të ardhmen e fëmijëve tuaj për interesin e katër vetave që janë bërë milionerë brenda natës? Ka ardhur koha ta bëjmë mobilizimin më të madh ndonjëherë, për fëmijët tanë”, tha ajo.

Osmani u tha simpatizantëve në Klinë se fitorja e LDK-së është e sigurt, meqë sipas saj në çdo vend të Kosovës po e sheh që fitoren e kanë të pandalshme, gjë të cilën ajo e quajti “uragan i fitores”./express/