FITORJA

Beteja kundër bërllogut online

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Në vend se të jenë platformë për nxitje e kultivim debati, rrjetet sociale janë shndërruar në gjenerues bërllogu dhe prodhues sharjesh, fyerjesh e thirrjesh për linç. Një hapësirë kundërmuese që duhet pastruar.

Mbi 935 mijë llogari të Facebookut janë të hapura në Kosovë. Nëse merret parasysh një mesatare në nivel global, afërsisht 15 për qind e tyre janë të rrejshëm. Në nivel global 14-16 për qind, respektivisht 270-290 milionë profile në këtë rrjet social janë të tillë. Hiç më mirë nuk qëndron puna as me Twitterin – ekspertët vlerësojnë se rreth 48 milionë “twitterashë” janë të rrejshëm, pra gati çdo i nënti përdorues i tij.

Secili përdorues i rrjeteve sociale mund ta vërejë me lehtësi se çfarë bërllogu prodhohet çdo sekondë në hapësirën online. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për raportime të papërgjegjshme të të ashtuquajturave media, që në të shumtën e rasteve janë grupe me qindra-mijëra ndjekës kryesisht në Facebook. Bërllogu më i madh prodhohet në komentet e lexuesve. Hapësira që do të duhej të shërbente si platformë për nxitje e kultivim debati është shndërruar në një hapësirë kundërmuese plot sharje, fyerje e thirrje për linç.

Rasti i fundit i raportimit për martesën e vëllait të një deputeteje në Kanada shpërfaqi në mënyrën më të vrazhdtë homofobinë dhe mungesën e empatisë për vendimin personal të dikujt që nuk është person publik dhe nuk i takon sferës së interesit publik. Raste të tjera, gjatë vitit të kaluar, kanë përfunduar madje edhe me dhunë fizike.

Në plot raste bërllogu në hapësirën online shpërthen nga profile të rrejshëm, që keqpërdorin mundësinë e ofruar për të qenë pjesë e rrjeteve sociale, duke sharë, fyer e kërcënuar të gjithë ata që nuk mendojnë njësoj si ata. Të tjerë nuk e kanë fort dert pse janë të identifikueshëm, teksa zbrasin artilerinë e ndyrësirave në adresa të caktuara.

Por angazhimi online, duke mos e treguar identitetin, nuk është gjë e re. Sidomos në rastet kur mbështetet një opcion i caktuar politik a partiak dhe kur ata që njihen si “botë” (shkurtesë për robotë) vërshojnë hapësirën online.

* * *

FIDANISHTJA

Sipas ekspertëve, “botë” konsiderohen të gjithë ata që nëpërmjet profileve të rrejshëm shpërndajnë lajme ose fushata të caktuara, me një qëllim të qartë. Ata zakonisht promovojnë opcione të caktuara politike, aktivizëm online dhe, kohën e fundit, marketing dhe shitje (shpesh të dyshimta) të produkteve dhe shërbimeve.

Shkencëtarja Whitney Phillips aktivitetin e këtyre njerëzve e konsideron një lloj sëmundjeje psikike. “Ata e dinë se ajo që bëjnë është së paku e pamoralshme. Por, me kalimin e kohës, një numër i madh i atyre që veprojnë pas profileve të rrejshëm bëhen të varur nga anonimiteti i perceptuar dhe në postimet e tyre bëhen gjithnjë e më agresivë, shpesh duke mos mundur të përmbahen as në kërcënime ndaj të tjerëve”, konsideron ajo.

Ndër vendet e rajonit “botët” janë jashtëzakonisht aktivë në Serbi dhe janë të lidhur me politikën. Nga një pjesë e madhe e të punësuarve në sektorin publik, që vendin e punës e kanë fituar nëpërmjet lidhjeve partiake, kërkohet që të aktivizohen në shkrimin e komenteve në Facebook ose Twitter, me përmbajtje lavdëruese për liderin e partisë ose ata që janë në pushtet. Në Serbi komente të tilla superlative shkruhen për presidentin Aleksandar Vuçiq. Media atje disa herë kanë raportuar se bëhet fjalë për të punësuarit në sektorin publik, anëtarë të partisë së Vuçiqit. Për më tepër, ky aktivitet zhvillohet gjatë orarit të punës, madje nga telefonë dhe kompjuterë zyrtarë. Në këtë mënyrë, kjo punë e “botëve” shndërrohet në aktivitetin më të shpeshtë politik. Përveç në institucione qeveritare, të tillët janë të punësuar edhe nëpër ndërmarrje publike e agjenci të ndryshme.

Qëllimi i tyre, pra, është që të ngrenë në qiell liderin patiak dhe, në të njëjtën kohë, të përpiqen të mjegullojnë çdo debat normal për gjendjen në ekonomi dhe në të tjera fusha, me qëllimin final që të prodhojnë apati në shoqëri nëpërmjet sloganit ”të gjithë janë njësoj”. Pra, ata kanë për qëllim që të krijojnë një realitet të rrejshëm në publik.

* * *

Në Kosovë ky fenomen përhapet nëpërmjet grupeve të caktuara në Facebook, por jo në masën sikurse në Serbi. Ose, sikurse në SHBA, gjatë kohës së Donald Trumpit. Gjatë mandatit të tij, përdoruesit e Twitterit kanë shkruar 2.5 miliardë twitta në të cilët lëvdohet Trumpi dhe duatrokiten vendimet e tij. Më vonë është konfirmuar se më shumë se një e treta e këtyre twittave janë shkruar nga profile të rrejshëm. Beteja kundër bërllogut online nuk është e lehtë. Hapësira kundërmuese duhet pastruar, por për këtë nevojitet angazhim i të gjithëve. Denoncimi i atyre që kontribuojnë për keq duhet të jetë detyrë e rëndësishme e të gjithë të tjerëve që nuk duan të helmohen nga përmbajtje idioteske. Përmbajtje që në plot raste arsyetojnë të paarsyetueshmen dhe përligjin të papërligjshmen.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.