Besnik Dervishi: Ja si ndodhi atentati

Besnik Dervishi, prefekti që dy ditë më parë i shpëtoi një atentati me mine të telekomanduar, ka folur nga Vlora për mediat, teksa në kompleksin “Jon” po bëheshin përgatitjet e fundit për ta shembur. Dervishi nuk pranoi të fliste para pallatit, por zgjodhi si sfond detin. “Dua të shikoj të ardhmen, dhe tjetra i përket të shkuarës”, u shpreh ai.
Përmbledhtazi, prefekti ka artikuluar në pak fjali përshkrimin e ngjarjes dhe mesazhet e tij. Dervishi shkakun e këtij atentati e gjen pikërisht në betejën që qeveria i ka shpallur “mafies së ndërtimit”.
“Unë ju falënderoj për interesimin tuaj, shpreh mirënjohje për miqtë që më kanë shprehur solidaritet për ngjarjen që lidhen me personin tim, falënderoj kryeministrin, kolegët, ministra e deputetë që kanë qëndruar pranë meje. Së bashku me agjencinë kombëtare të Planifikimit të Territorit inspektuam shëtitoren. Unë jo pa qëllim, ju orientova, se sapo vij nga një takim ku morën pjesë 50 ekspertë vendas e të huaj që shprehën interesin për konkursin për shëtitoren e Vlorës. Sa i takon prezencës tuaj (flet për gazetarët) është një proces që po vazhdon prej kohësh dhe do të vazhdojë sipas planifikimit”, tha Dervishi, shkruan Shekulli.
I pyetur mbi komentin e tij sot rreth ngjarjes, Dervishi tha shkurt se çdo gjë ia lë në dorë organeve kompetente. “Unë nuk kam koment për ngjarjen e djeshme dhe kam besim se prokuroria dhe institucionet do e zbardhin sa më shpejt. Kjo nuk është çështje replike, por them se çdo institucion duhet të kryejë detyrën e tij”, tha Dervishi Kurse faktit nëse ai dje ndodhej ose jo në makinën në të cilën ishte vendosur eksploziv i telekomanduar për shpërthim, Dervishi tha se “Në orën 20:00 të mbrëmjes së 12 dhjetorit jam nisur në Tiranë pasi më morën në telefon dhe më thanë që duhej të isha në Tiranë. Deri në orën 19:00 kam qenë në zyrën time. Unë kam në pronësi dy automjete të deklaruara.
Dje makina drejtohej nga unë, jo person tjetër. Këto janë detaje t’ia lemë prokurorisë. Eshtë makinë personale, me targa të rregullta dhe për arsye se shtetin e kemi marrë të rrënuar, përdorim dhe makinat tona personale. Dhe ditën e djeshme makina ka qenë në përdorim nga unë, ka një muaj që përdoret nga unë. Di të them vetëm kaq, unë ndihem mirë në Vlorë dhe në mes të vlonjatëve!”.
Ekspertët që po punojnë për të zbuluar elementët e duhur për të shkuar tek autorët apo ideatorët e atentatit me C4 të telekomanduar, të vetmen provë në duar kanë aparatin e telefonit, me të cilin ishte lidhur lënda plasëse. Celulari është i tipit Samsung, i vjetër, i cili në momentin e marrjes në duar nga ekspertët mësohet se ka qenë me bateri të mbushur.
Aparati telefonik celular, i lidhur me dy detonatorë me lëndën plasëse c4, nëpërmjet të cilit jo vetëm nga një thirrje telefonike, por edhe një mesazh mund të përcillej rryma e nevojshme për të realizuar shpërthimin në automjetin e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Duke qenë se në eksploziv ishin instaluar dy detonatorë do të thotë se autorët kanë marrë masa që shpërthimi të realizohej patjetër, që rrëzon mundësinë e dërgimit vetëm të një mesazhi kërcënues.
Mina, e cila ka qenë e vendosur poshtë sediljes së drejtuesit të mjetit, mësohet se ka qenë e mirësistemuar, pasi ka qëndruar e pashkëputur përgjatë gjithë rrugës që ka kryer makina. Mirëpo ekspertët janë ndalur edhe tek modifikimi tejet profesionist që autorët i kanë bërë lëndës, duke arritur në konkluzionin se mos shpërthimi i saj duhet të kishte dy arsye; ose vendqëndrimi i mjetit nuk ka plotësuar dot kushtet për të kryer eksplozionin, ose diçka nuk ka funksionuar në mekanizmin e shpërthimit. Referuar të dhënave të hetimit saktësohet se aparati celular pritet të hedh dritë edhe mbi përdoruesit e tij të mëparshëm. Goditjes së pushkës me ujë, e cila bëri shkëputjen e telave përcjellës të energjisë nga telefoni celular tek lënda eksplozive C4, ka shpëtuar telefonin si pjesë e rëndësishme e hetimit të atentatit, por nuk mund të thuhet kjo me siguri për kartën SIM. /Telegrafi/