Besimi i verbër se Kosova do të bëhej pjesë e UNESCO-s

130 takimet me delegacionet e UNESCO-s dhe thirrja në përkrahjen e shteteve mike për të cilat fliste Thaçi, lenin përshtypjen se ky aplikim do të ishte një storie e vërtetë suksesi.
Kur më 16 korrik, ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, për herë të parë e bëri publik që Kosova kishe aplikuar për anëtarësim në UNESCO, ai vështirë se mund ta ketë menduar që ky do të ishte dështimi më i madh i 2015-ës për Ministrinë që ai drejton, raporton KTV.
Si një organ i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO shihej si një hap më afër dhe si një përparim drejt rrugës për të fituar një ulëse në OKB.
Për qeverinë në Prishtinë, anëtarësimi eventual në UNESCO filloi të konsiderohej si fitorja e dytë më e madhe pas vendimit pozitiv të GJND-së për legjitimitetin e pavarësisë.
Duke qenë një agjenci e specializuar për arsim, shkencë, kulturë dhe komunikim, Kosovës i leverdiste të bëhej pjesë e UNESCO-s, ashtu që të përfitonte nga statusi ndërkombëtar i kulturës dhe arsimit të saj si dhe nga mbrojtja ligjore ndërkombëtare e kulturës së Kosovës.
Por që në fillim, historia e këtij aplikimi u përcoll me skandale.
Për arsye që nuk u kuptuan ndonjëherë, Presidentja Jahjaga kishte refuzuar ta nënshkruante fletë aplikimin, gjë që më pas ishte bërë nga ministri i Jashtëm, Thaçi.
Për më tepër, KTV-ja pati mësuar që aplikimi nuk ishte bërë drejtpërdrejt nga Kosova, por në rrugë tërthore nëpërmjet zyrës së UNMIK-ut në Prishtinë.
Gjersa Ministria e Jashtme mundohej ta shmangte këtë temë, për subjektet opozitare ky veprim vetëm sa rrezikonte pa nevojë, rifuqizimin e UNMIK-ut në Kosovë.
Hashim Thaçi u bishtnonte pyetjeve parlamentare për aplikimin nëpërmjet UNMIK-ut, të cilën ai mundohej ta relativizonte duke e quajtur një problem thjesht procedural, transmeton Koha.net.
Pa firmën e kreut të shtetit dhe nëpërmjet UNMIK-ut, procesi i aplikimit dukej natyrshëm i rrezikuar.
Pas kësaj, aplikimi u riprocesua duke u bërë nëpërmes Republikës së Shqipërisë.
Dhe sikur këto të mos mjaftonin, paralel me fushatën e Kosovës për anëtarësim, në njërën anë, në anën tjetër edhe Serbia nisi një fushatë të saj për ta dështuar atë.
Për pesë muaj rresht, nga korriku e deri në nëntor, do të zhvillohej një përballje e ashpër dhe e dendur diplomatike dhe politike, ndërmjet Kosovës që synonte anëtarësimin dhe Serbisë që mundohej ta pengonte atë.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq dhe shefi i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, nuk lenin rast pa kundërshtuar aplikimin e Kosovës.
Ata zotoheshin se do të bënin gjithçka dhe se do të shfrytëzonin çdo rrugë diplomatike për të siguruar sa më shumë vota kundër Kosovës.
Ambasadori i Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskoviq, pohonte se edhe sikur Kosova të bëhej pjesë e UNESCO-s, objektet ortodokse serbe nuk mund të përvetësoheshin nga Kosova.
Si dukej, ai bënte sikur kishte harruar që objektet në fjalë kishte kohë që më nuk cilësoheshin si serbe, por thjesht si trashëgimi ortodokse e Kosovës.
E si gjithmonë, politikës së Beogradit iu bashku edhe Akademia e Shkencave dhe Kisha Nacionale Serbe.
Në sytë e patriarkut Irinej, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të paraqiste rrezik për vendet e shenjta serbe në Kosovë.
Më shumë se 10 vjet pas trazirave të marsit, autoritetet serbe i politizuan dhe instrumentalizuan edhe një herë pamjet e asaj kohe, për të argumentuar se përse Kosova nuk duhej të pranohej në UNESCO.
Në videot propaganduese serbe, nuk përmendej askund restaurimi që u ishte bërë këtyre objekteve nga shteti i Kosovës si dhe statusi i eksterritorialitetit që u ishte dhënë atyre.
Duke shpifur hapur në publik, kryeministri serb Ivica Daçiq, tha se shqiptarët kishin shkatërruar deri në 200 objekte fetare, nga lufta e ’99-s e deri në mars të 2004-s.
Ai mundohej t’i shmangte raportet e NATO-s, të bëra më 1999 nga dy historianët e Harward-it, Andrew Herscher dhe Andras Riedlmayer, që nuk kishin evidentuar asnjë rast të shkatërrimit të objekteve ortodokse, qoftë nga UÇK-ja, qoftë nga bombardimet e NATO-s.
Biles Daçiq e pati përsëritur këtë edhe në Kombet e Bashkuara, por që homologu i tij Hashim Thaçi nuk e pati demantuar e as nuk ia kishte përmendur 200 xhamitë që ushtria serbe i kishte shkatërruar gjatë luftës së viteve 1997 – 99.
Madje kreu i qeverisë serbe, Daçiq, shkoi aq larg, sa e krahasoi Kosovën me organizatën terroriste ISIS.
“Pranimi i Kosovës në UNESCO do të ishte shkatërrues për vetë organizatën, është njësoj si të pranohej ISIS-i në UNESCO” – pati deklaruar Daçiq në fillim të tetorit.
E pas fushatës së Serbisë edhe Spanja doli hapur duke thënë se do të votonte kundër Kosovës.
Lobimi i vazhdueshëm i Serbisë për të siguruar sa më shumë vota kundër Kosovës, shkoi deri në selinë e OKB-së në New York dhe në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Derisa e tërë diplomacia serbe ishte aktivizuar për të bllokuar rrugëtimin e Kosovës për në UNESCO, Ministria e Jashtme e Kosovës botoi dhe shpërndau një broshurë me titull “Kosova në UNESCO”.
Numri dy i kësaj ministrie, Petrit Selimi, thoshte vazhdimisht që ai po lobonte për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim.
Për të njëjtën gjë, veç me më shumë pompozitet, shkoi në Paris edhe shefi i tij, Hashim Thaçi.
Deklaratat me plot siguri të dy kryediplomatëve Thaçi dhe Selimi e rritën aq shumë optimizmin e kosovarëve për anëtarësim, sa që në Kosovë filloi të flitej se cilat lokalitete e objekte mund të futeshin nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Qendra Historike e Prizrenit, qyteti i Ulpianës, kalaja e Novobërdës, e trashëgimia kulturore e periudhës osmane, ishin ndër më të lakuarat për të fituar statusin e të qenit i mbrojtur nga UNESCO.
Provimi i parë për Kosovën, erdhi më 21 tetor, kur me 27 vota pro, 14 kundër dhe 14 abstenime, Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s i hapi derën e parë Kosovës për t’u anëtarësuar brenda kësaj organizate.
Pas kësaj, pritej vetëm edhe mbështetja e Asamblesë së Përgjithshme që Kosova të bëhej anëtare e plotë e UNESCO-s.
Të entuziazmuar me këtë sukses, kryeministri Mustafa dhe ministrat e kabinetit të tij u pozicionuan edhe më fort pas idesë së lobimit për Kosovën në UNESCO.
Fushatave lobuese në Paris, iu bashkuan edhe i shumënjohuri për lobime Behgjet Pacolli dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
Në prag të votimit përfundimtar, një letër mbështetëse për Kosovën dërguan edhe të katër ish-shefat e UNMIK-ut në Kosovë.
Të gjitha këto merrnin si kundërpërgjigje deklaratat e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sipas të cilit UNESCO-ja po përdorej si mjet për të legjitimuar, siç thoshte ai “shtetin e vetëshpallur të Kosovës”.
Por të hënën e 9 nëntorit, në mungesë të tri votave më shumë, të gjitha shpresat e politikës dhe popullit të Kosovës për t’u bërë pjesë e UNESCO-s u rrënuan përnjëherë.
Me 92 shtete që votuan pro, 50 sosh kundër dhe 29 të tjera që abstenuan, Kosova u bë precedent si rasti i parë në 70 vjetët e UNESCO-s që një shtet i rekomanduar nga Këshilli Ekzekutiv të refuzohej nga Asambleja e Përgjithshme.
Ashtu siç pritej, vota kundër erdhën nga Rusia, Kina, Spanja, Kuba, Argjentina, Brazili e Bjellorusia, por për kosovarët u panë si të habitshme votat kundër edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Kuvajti, Katari, Palestina e Bahrejni.
Për subjektet opozitare, bllokimi që Serbia hapur ia kishte bërë Kosovës, ishte një arsye më se e mjaftueshme për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë në Bruksel.
Por për tandemin e delegacionit, Mustafa – Thaçi, ndonëse ky bllokim ishte jokorrekt, bisedimet me Serbinë do të vazhdonin.
Pas kësaj fiaskoje të pësuar, krejt çfarë mundi të thoshte diplomacia e Hashim Thaçit dhe Petrit Selimi, ishte që ata nuk do të ndaleshin në ndjekjen e rrugës së Kosovës për në UNESCO.
Përkundër këtij dështimi, as dyshja Thaçi – Selimi dhe askush nga diplomacia kosovare nuk dha dorëheqje dhe as përgjegjësi para popullit.
Kryeministri Mustafa u mjaftua me një shprehje keqardhjeje, por që nuk u pasua me ndonjë shkarkim.
Kurse ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, tha se për 10 muajt e fushatës së drejtuar prej tij, ishte dhënë maksimumi dhe se aplikimi do të përsëritej.
Por sipas rregulloreve të UNESCO-s, duhet të kalojnë dy vjet për të aplikuar sërish.
E deri atëherë, Kosovës dhe kosovarëve, u mbetet të luftojnë pothuajse të vetëm për të mbrojtur trashëgiminë e tyre kulturore si dhe arsimin e shkencën e tyre.
http://koha.net/?id=27&l=91710