Besart Berisha: Dua të luaj në Evropian

Besart Berisha është i gatshëm të luajë për Shqipërinë në Evropianin e Francës. Sulmuesi kosovar e kishte refuzuar ekipin Kuqezi gjatë kualifikimeve, për shkak të largësisë, por tash, pasi ekipi i Gianni De Biasit e ka prerë biletën për Evropian, prishtinasi është vetë-ofruar, shkruan Zëri.
“Për momentin nuk kam dëgjuar asgjë. Por, nëse do ta kem rastin të luaj në Evropian, mendoj se çdo lojtar do të donte ta bënte këtë”, u shpreh Berisha për mediat australiane, përcjell Zëri.
Ai po luan me sukses në futbollin australian në vitet e fundit, fillimisht ishte pjesë e Brisbane Roar, e tash luan në Melbourne Victory.
Tash, topi është tek trajneri De Biasi, nëse vendos ta thërrasë apo jo. /Zëri/