Berisha: UEFA u kthye në qesharake

Në një rrëfim shterues, portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha rrëfen 42 minutat e Beogradit dhe karrierën e tij futbollistike.
Një tjetër kuqezi që ka folur për Mira Kazhanin është Etrit Berisha. Portieri i Shqipërisë dhe i kuqezinjve flet në një intervistë shteruese për atë që duhet të ishte një ndeshje futbolli, por u kthye në luftë. E pakuptueshme dhe e pafalshme, por e parashikueshme. E organizuar shumë keq ndonëse duhet të garantonte paqen mes dy kombëtareve dhe dy popujve. Serbi-Shqipëri ishte një luftë. Është Etrit Berisha që pohon një fakt të tillë. “Atmosfera nuk linte asnjë dyshim. Ngjasonte me një luftë të vërtetë. Para ndeshjes e dinim që i gjithë kombi po na shihte, për një ndeshje kaq të rëndësishme. Situata ishte shumë e rrezikshme, por ne luftuam për ta. Është detyrë që të luftosh për vendin tënd”, thoshte Etrit Berisha, pas ndeshjes. Pak a shumë të njëjtën gjë ka rrëfyer në intervistën me gazetaren Mira Kazhani.
Etrit kisha krijuar përshtypjen nga ekrani që ishit më i madh në moshë. Kështu nga afër dukeni më i ri. Sa vjeç jeni?
Jam 25 vjeç, viti 1989. Ndoshta edhe pak nga mjekra dukem kështu.
Në përvojën tënde si portier e cila nuk është e pakët pavarësisht moshës. Ju keni luajtur Në Suedi, tani më Lacion në Itali. A kishit hasur më parë një situatë të dhunshme si ajo e Beogradit?
Nuk kam hasur direkt siç ndodhi në Beograd. Ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e vështirë. Unë kam përjetuar pak a shumë edhe luftën në Kosovë. Dhe kur na erdh mundësia me shku në Beograd, aty mendova: “okay” këtë radhë do të jetë më mirë. Nuk do ketë më problem si ka pas më herët. Çdo gjë do të mund të shkonte në rregull. Mirëpo sapo i pashë ata polic, tifozët, atmosferën një ndjenjë e çuditshme më erdhi.
T’u rizgjuan ndjenjat e luftës?
Në ato kohë kam qenë rreth moshës 8 -9 vjeç, kam qënë i vogël por është një moshë që ruan shumë në memorie.
Je prishtinali?
Po
Si e kujton atë kohë?
Ajo kohë ka qenë e tillë. Ndoshta nuk kemi pasur lirinë e duhur. Si në shkollë, si në shtëpi e qytet gjithçka ka qenë e limituar.
Ke qenë më parë në Beograd?
Jo nuk kam qenë më herët në Beograd. Ishte hera e parë për mua kjo.
Dhe impresioni ishte…?
Impresioni ishte siç u pa nuk mund të themi shumë. Nuk mund të themi që ishte ndonjë kënaqësi e madhe.
Një fakt interesant është se ju Etrit ruajtët gjakftohtësinë deri në fund. Të paktën nga pamjet filmike kështu duket. Apo jeni përleshur edhe ju por nuk ju kemi parë?
Normalisht për mua ashtu dhe për çdo lojtar që ishte në atë stadium, ishin të nervozuar me ngjarjet që ndodhen aty për aty mirëpo u mundova që të ruaj gjakftohtësinë dhe kjo është ndoshta një nga armët e një portieri. Ma thotë gjithmonë edhe trajneri i portës që duhet të mos nervozohem dhe të ruaj gjakftohtësinë. Sepse porta është një pozicion shumë i veçantë në futboll dhe nuk duhet të humbasësh kurrë kontrollin. Në ato momente isha pak i habitur se gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë. Shkova që t’i ndihmoja shokët e mi por pashë që nga ana e lojtarëve me lojtarët nuk është se kishte ndonjë kacafytje të madhe. U mundova që të mbaja gjakrat e ftohta në mënyrë që mos kishim pasoja të mëdha.
Pati pasoja të mëdha në këndvështrimin tënd?
Po sigurisht që pati. Disa lojtarë nga ne ishin të lënduar. Pastaj mënyra sesi u sollën tifozët ngjarja ishte rrëqethëse mund të them për shkak se ishim duke luajtur futboll dhe nuk ishim në ndonjë luftë aty. Për mua ishte një emocion i keq! Por të them të drejtën isha edhe pak i përgatitur për shkak edhe të mënyrës sesi u interpretua ndeshja përpara fillimit të saj. E dinim sesi ishte situata mes tifozëve. Isha i bindur që edhe sikur t’ju jepnin edhe një gol të vetëm atyre, të gjithë tifozët do kishin zbritur në fushë.
Në 45 minuta lojë ju në fakt e mbrojtët shumë mirë portën Etrit..
Po mirë. Luajtëm mirë. Në fillim ndoshta kishim pak probleme, ndoshta për shkak të kundërshtarit që në letër ishte më superior. Ata kanë kualitete më të mëdha. Por ne si skuadër luajtëm më mirë. Ishim më kompakt.
Ishte shokues për ty vendimi i UEFA?
Ishte një vendim qesharak. Një vendim që nuk do doja të flisja tani sepse e di që ky vendim do të ndryshojë dhe në fund do të marrim atë që meritojmë.
Ku e bazon këtë besim?
Në faktet që kemi. Isha aty, pashë gjithçka. Dhe ne që nuk bëmë asgjë të humbet ndeshja nga ana jonë, është diçka absurd. Normalisht në gjykatën arbitrazhit do të zgjidhet gjithçka.
A jeni i kënaqur nga puna e zotit Duka? Ai po shënjestrohet jo pak…
Unë mendoj që ai është duke bërë maksimumin. Sikur që dua një gjë të mirë për kombëtaren. Edhe ai është pjesë e jona dhe normalisht mundohet të jap maksimumin.
Si mund të jetë kombëtarja më e mbrojtur? Çfarë mungon në Shqipëri? Nuk ka para, investime apo ka edhe një mungesë në burime njerëzore?
Nëse i referohemi këtij rasti, unë mund të them që Serbia si në media ashtu edhe në Kombëtare e cila është pjesëmarrëse në kompeticione të mëdha, në atë Europian, në Botëror. Serbia në këtë mënyrë ka një reputacion më të madh sesa Shqipëria e cila nuk ka marrë asnjëherë pjesë. Këto gjëra ndikojnë tek UEFA. Edhe pse nuk duhet të ishte kështu por ja që fatkeqësisht ndodhemi në këtë gjendje dhe duhet të luftojmë deri në fund.
Etrit ju tani po bëheni i njohur për publikun shqiptarë. Dua t’ju pyes sesi përfunduat tek porta. Gjithmonë mendoj se ata që duan futbollin kërkojnë të jenë sulmues, mesfushor…si përfundove në portë?
Ka qenë një moment i veçantë kur në klubin tim në Prishtinë, aty gjithmonë isha si lojtar, dhe një ditë nuk kishte portier madje askush nuk donte të ishte në portë. Kur pyeti trajneri e çova dorën unë për shkak se kur luaja me shokë bëja portierin dhe atë ditë trajneri më tha që ti nuk del më nga porta. Ka qenë një rastësi!
Kur erdhi oferta e parë?
Ishte Albert Bunjaku që në atë kohë ishte trajner në Kallmar në Suedi. Më ftuan të shkoja atje për një provë dyjavore. Pas dy javësh ashtu mora kontratë që ishte për mua edhe ai prezantimi me futbollin europian.
Si ishte hyrja në futbollin europian? Si është ai momenti kur të thonë që po ti vlen?
Po ishte emocionuese! Por mund të them që kam bërë shumë. Kam sakrifikuar shumë. Kur arrin diçka për të cilën ke luftuar dhe kë dhënë gjithçka nga vetja dhe e arrin, është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë. Në ato momente isha mjaft i gëzuar.
Pas Suedisë ju vini në Lacio, ku luani aktualisht. Si duket Italia dhe italianët?
Qesh) Roma është një nga qytetet më të bukura në botë! Mirëpo në Suedi kam kaluar një kohë jashtëzakonisht të mirë. Në Suedi jam ndje mjaft mirë por futbolli në krahasim me Italinë nuk është në nivel të njëjtë. Kështu që kam vendos të vij në Romë. Por ndryshimi ndodh tek sistemi dhe njerëzit dhe këtu diferenca është shumë e madhe me Suedinë. Gjatë vitit të parë kam pas pak problem këtu me ambientimin. Por tani jam mirë.
Ku i kishe më se shumti problemet këtu? Si ishte ajo fraza që të nervozonte: Non ti preoccupare, kështu të thoshin italianët? Dhe çfarë ndodhte pastaj?
Po, kur një Italian të thotë “Non ti preoccupare” është rrezik se mundet të mos e kryejnë. Sistemi është problem. Në Suedi ishte çdo gjë e organizuar, në kohë, e sistemuar. Kurse në Itali jo dhe aq. Kjo më ka marr aq kohë dhe energji goxha shumë derisa jam mësuar.
Këtu në Itali nuk jeton vetëm. Je me një shoqe të cilën e ke njohur në Suedi?
Po jam njohur me të në Kallmar. Tani po bashkëjetoj me të në Romë.
Gocat shqiptare të mos kenë shpresë..
(Qesh) Jam mirë tash për tash!
Më treguat pak më parë se ke një dietë të fortë. P.sh. nëse të gjithë shokët e t’u tek Lacio hanë pasta, ti jo. Ke hequr nga jeta jote miellin.
Ka qenë një vendim i vështirë duke patur parasysh kuzhinën italiane. Nuk ha prodhimet e miellit. Dhe të them të drejtën pa miell ndihem shumë mirë fizikisht. Ndihem më i lehtësuar në organizëm dhe do të vazhdoj me këtë dietë.
I reziston pastave në Itali, dhunës në Beograd. Ku e gjen këtë vetëpërmbajtje?
Dihet futbolli është sakrificë. Shumë njerëz mendojë që ah është futbollist dhe sa bukur e sa gjë e lehtë. Por është një sakrificë e madhe. Privohesh nga shumë kënaqësi. Ke gjithmonë orare. Nuk je i lirë nonstop. Por jemi mësuar më ketë regjim dhe disiplinë. Mua personalisht më pëlqen kur e kam jetën të organizuar. Kur kemi pushim kuptohet që s’ka disiplinë. Por unë jam natyrë që dua të organizojë jetën time.
Çfarë të kanë këshilluar prindërit?
Gjithçka! Ata janë për mua gjithçka. Çdo ditë që flas me ta unë këshillohem. Kur isha në Suedi për mua ishte krejt ndryshe nga Prishtina dhe isha vetëm. Nuk kisha as shoqen. Fillimi ishte shumë I vështirë madje isha shumë afër kthimit në Prishtinë. Atje errësohej shpejt e ishte ftohtë. Sezoni i dimrit atje, njerëzit në 5 pasdite nuk dilnin nga shtëpia. Për mua ishte diçka e tmerrshme. Ku erdha? Ata më ka dhënë kurajë gjithmonë. Duke marrë parasysh se çfarë rruge kisha bërë unë deri aty.
Të kanë edukuar me ndjenjën e patriotizmit, të flamurit, të kombit. P.sh të kanë thënë që s’do e tradhëtosh kombëtaren tënde…
Po normalisht ne e bëjmë këtë edhe në shkollë në Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë gjithçka për ne. E shohim si një gjë të madhe bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe ndoshta pas kësaj ndeshje pavarësisht pasojave dhe minuseve që morëm nga UEFA, kemi fituar shumë. Kudo flitet për kombëtaren. Ne që jemi rritur në Kosovë sidomos, kemi luftuar gjithmonë që ta prezantojmë Shqipërinë sa ma denjë!
Por jo të gjithë futbollistët me origjinë shqiptare e mendojnë kështu. P.sh. rasti Januzaj, i cili është debatuar mjaft, madje është rikthyer këto kohë sërish edhe me disa ngacmime në rrjetet sociale. Ju si e keni gjykuar zgjedhjen e tij? E njihni atë nga afër?
Jo jo, nuk e kam takuar atë. Secili e bën zgjedhjen personale. Edhe mund ta mirëkuptoj sepse është ndryshe për ata që nuk kanë lindur në Shqipëri. Shqiptarët që lindin jashtë e kanë një ndjenjë jo sikur ne që kemi lindur aty. Ndoshta nuk e ndjejnë veten se janë pjesë e jona, si ta them e trupit tonë. Kam takuar të tillë edhe në Suedi. Kjo gjë do të ndryshojë kombëtarja jonë të arrijë të kualifikohet në kampionate të mëdha.
Pak më parë kur bisedonim më the se po pret vetëm kualifikimin dhe se i ke dy fjalë me Januzajn. Pse nuk ja thua që tani?
Ah jo. Për mua është shumë më rëndësi tani që ata lojtarë që vijnë në kombëtare të bëjnë maksimumin. Ata që janë me dy mendje, vij e s’vij për ne është shumë më mirë që të mos vijnë fare. Sepse tani kemi një grup të cilët e japin maksimumin, të gjithë e japin atomin e fundit në fushë për me marrë një fitore dhe për të korrur sukses që Shqipërisë i mungon. Futbolli nuk është lojë individuale por është lojë kolektive. Po ta shohësh kombëtaren tonë jemi shumë të lidhur “mes vedi”(me njëri-tjetrin). Është një grup jashtëzakonisht i mirë.
I prite të gjitha topat atë ditë në Beograd. U mërzite që golin ta bëri UEFA?
Nuk do ta bëj. Unë e kam një bindje të plotë që nuk do të përfundojë me kaq. E di. E kam atë bindje. Ne nuk ishim fajtor!
A ke dëshirë t’ju çosh një mesazh tifozëve shqiptarë?
Kemi hekur shumë! Ju na përkrahni shumë. Keni qenë aty. Dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë që t’ju japim juve dhe vetes atë që meritojmë prej kohësh./Arena/