Fundamenti

Berisha thotë se plani franko-gjerman është i mirëpritur, por shtron dy kërkesa themelore

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka dhënë idenë e tij mbi planin franko-gjerman, plan që ka tensionuar skenën politike në Kosovë dhe Serbi.

Gjatë një takimi me ish-ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, Berisha tha se një marrëveshje e mirë që e respekton Kushtetutën është interesi i Kosovës.

Berisha vlerëson se plani franko-gjerman duket sikur parashtron një zgjidhje të mirëpritur për Kosovën, por edhe rajonin.

“Po ky plan duhet të parashikojë heqjen nga Kushtetuta e Serbisë të Preambulës ultranacionaliste që përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”.

Mobi Casa

Por, nuk është vetëm kjo jetike, sipas Sali Berishës, i cili thekson se Asociacioni që nuk duhet kundërshtuar është ai që përputhet me Kushtetutën e Kosovës. I tillë (kushtetues) është ai që nuk njeh kompetenca ekzekutive komunave me shumicë serbe.

“Sikundër një Asociacion që krijon struktura me fuqi ekzekutive është i rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë rajonin në të cilin minoritetet janë të pranishme dhe më numerike se sa pakica serbe në Kosovë. Nuk duhet harruar kurrë se ‘baruti’ i fuçisë së rajonit tonë është ultranacionalizmi i verbër serb”, tha ai.

Berisha dhe Haradinaj-Stublla ranë dakord që Ballkani nuk mund t’i lejojë vetes kurrsesi një ‘Republika Srpska’ të dytë dhe se përballë spirales të ultranacionalizmit serb, faktori shqiptar duhet të jetë sa më i bashkuar.

“Një spirale ekspansioniste e cila filloi me dy projektet e dështuar tanimë, atë të ndryshimit të kufijve dhe me Ballkanin e Hapur, dhe që qartazi promotorët kryesorë ishin serbomadhi Vuçiç dhe vasali i tij në Tiranë Edi Rama jo që nuk përmirësuan, por përkeqësuan klimën në rajon”, tha Berisha. /Telegrafi/