Berisha: Ta kthejmë himnin në formën e plotë

Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha miratoi një propozim, siç tha ai, që ndryshon himnin kombëtar, duke rikthyer dy strofa të hequra nga origjinali i shkruar nga Asdreni. “Se Zoti vetë e tha me gojë, që kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të, për të luftojmë ne”.
Janë këto vargjet të cilave i referohet shefi i qeverisë, e për të cilat ai kërkoi t’i bashkëngjiten himnit aktual kombëtar.
“Himni kombëtar duhet të rikthehet në formën e tij të plotë. Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë, sepse Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë, në kuptimin që dashuria për kombin dhe vendin, buron nga fryma e Zotit. Të shihen të gjitha modalitetet se si mund të rikthehet kjo strofë e përzënë dhe të bisedohet dhe me akademinë, institutin, kompozitorët dhe himni mendoj unë duhet të kthehet në variantin e tij të plotë ashtu siç e shkruajti rilindasi i madh Aleksandër Sotir (Stavre) Drenova”, deklaroi kryeministri Berisha, transmeton TCH.
Por ndërsa kërkonte rikthimin e strofave të hequra, Kryeministri bëri një pauzë tek emri i Asdrenit, çka e tradhtoi në shqiptimin e saktë të tij, duke bërë një lapsus për emrin e vërtetë, nga Stavre në Sotir.
Kjo deklaratë e kreut të qeverise vjen në një moment delikat ndaj dhe duket më shumë një mënyre për të hequr vëmendjen, sesa është pjesë e një projekti real të Komitetit Ndërministror.
Mbetet për t’u parë nëse ky projekt do të shkojë deri në fund duke i dhënë Shqipërisë për 100-vjetorin e pavarësisë një tjetër himn kombëtar të rikthyer në identitet, siç tha kryeministri.