Berisha: Nuk do të ketë vend në qeverisje për ata që kanë procese gjyqësore

Gjilan – Sadudin Berisha zëvendëskryetar i parë i LDK-së tha se Lutfi Haziri pret shumë shpejt ta rrumbullakësojë qeverisjen komunale. Sipas tij LDK nuk do të favorizoj asnjë kuadër që ka procese gjyqësore të hapura. Ata njerëz as që do të hynë në garë është kategorik Berisha.
LDK-ja në Gjilan sot pritet të vendos për drejtorët e rinj me të cilët Lutfi Haziri do të udhëheq në katër vitet e ardhshme, raporton rajonipress.
Vonesa në emërimin e drejtorëve pikërisht nga partia e Hazirit ka shkaktuar huti tek shoqëria civile edhe pse vet Haziri ka thënë se gjithçka do të kryhet në suaza ligjore dhe në afatet e caktuara mandatare.
Sadudin Berisha zëvendëskryetar i parë i LDK-së thotë për rajonipress se ende dega e LDK-së nuk ka diskutuar për emrat e mundshëm të drejtorëve të rinj që do të jenë nga ky subjekt politik.”Besoj që vet zoti Lutfi Haziri e ka mandatin dhe përgjegjësinë e plotë që të emëroj kuadrot e LDK-së. Si subjekt politik kemi kuadro të afta e të dëshmuara për të qeverisur me Gjilanin” tha Berisha.
Berisha tha se brenda pak ditsh do t`i jepet fund emërimit të drejtorëve të rinj.”LDK do të jetë e përgjegjshme edhe në emërimin e drejtorëve të rinj. Dhe ne si LDK nuk do të favorizojmë asnjë kandidat apo kuadër të LDK-së që ka procese të hapura gjyqësore. Ata individ as që do të hynë në garë” tha Berisha.
Berisha tha se sot dega e LDK-së do të takohet me Lutfi Hazirin ku edhe do të flitet për emrat e drejtorëve të rinj./rajonipress/