Berisha: Në Romë jam rritur, s’jam penduar për zgjedhjen
Valmir Berisha vazhdon të jetë një mister. Talenti kosovar kishte shkuar në Romë vitin e kaluar, duke u etiketuar si Ibrahimovici i ri, por ai pati vështirësi në ambientim dhe nuk ka dalë asnjëherë në fushë me ekipin e parë.
Ai pati disa paraqitje me ekipin e të rinjve, por nuk ka arritur asnjëherë t’i bind të gjithë. Për këtë, ai u dërgua në Panathinaikos, për të bërë eksperiencë. Mirëpo, edhe në Greqi, ai kishte zero paraqitje dhe shumë herë përfundoi në tribunë.
Tash, përfaqësuesi U-19 i Suedisë e ka dhënë një intervistë për të përditshmen suedeze, ‘Espressen’, për të cilën ka folur për momentin e karrierës, nëpër të cilindo kalon.
“Nuk mendoj se ishte zgjedhja më e mirë për ta ndërruar klubin. Nëse dua të kem më shumë hapësirë dhe të luaj më shumë, duhet të qëndroj dhe të luftoj. Është normal se mendoja se do të ishte më mirë këtu në Greqi, besoja se do të kisha mundësi për të luajtur dhe të bëj eksperiencë, por do të vazhdoj të luftoj”, deklaroi Berisha fillimisht, përcjell Zëri.
“Vetëm kështu mund t’ia demonstroj trajnerit se jam një djalosh që ushtron fort dhe që nuk dorëzohet përpara vështirësive. Është normale që për një lojtar të ri si unë, nuk është e mirë që të mos e kem mundësinë të luaj kurrë dhe që të mos mund ta tragoj veten në fushë. Kam nevojë të luaj”, vazhdoi ai.
“Mirëpo, unë kam raport të mirë me trajnerin dhe me skuadrën dhe ndiej se shpejt do ta kem rastin për të zbritur në fushë dhe për të luajtur. Kanë mbetur edhe 12 ndeshje dhe objektiv imi kryesor është të luaj së paku një nga këto ndeshje”, vijoi Berisha, shkruan Zëri.
“Të gjitha zgjedhjet që i kam bërë deri tash, kanë qenë të rëndësishme. Do të ishte më e thjesht nëse do të shkoja të luaj në një kampionat si ai holandez apo në një klub si Celtic, për shembull. Ose nëse do të qëndroja ende në Suedi. Por, unë e kam zgjedhur Romën dhe në periudhën fillestare, jam rritur mjaft në shumë aspekte dhe nuk jam penduar për zgjedhjen që e kam bërë”, përfundoi Berisha. /Zëri/


