Eko Higjiena

Berisha: Jam rritur me fanellën e Maradonës

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Është rritur më Maradonën në mendje, por nuk e di nëse do të arrijë atë që ka arritur në futboll, legjenda e futbollit argjentinas. Valmir Berisha e ka kaluar fëmijërinë e tij duke bartur fanellën me numër 10 të Diego Maradonës, derisa kishte filluar t’i bëjë hapat e parë në futboll në shtetin suedez, ku para 15 viteve kishte emigruar së bashku me familjen e tij.

“Nuk e di se si, por si i vogël tërë kohën e kam pasur veshur fanellën e Maradonës. Ai më ka inspiruar të luaj futboll dhe të arrij deri këtu. Thjesht për mua ai ka qenë një udhërrëfyes imi që prej se kam filluar të luaj futboll”, tha për “Zërin”, Berisha.

Djaloshi i rritur më fanellën e “El Pibes” dhjetë vite më pas e ka dridhur botën e futbollit më aftësitë e treguara prej një sulmuesi të rrezikshëm në botërorin e mbajtur në Emiratet e Bashkuara Arabe muajin e shkuar, kur e shpalli veten “mbret të golit” dhe fitoi medaljen e bronztë me kombëtaren suedeze U-17. Paraqitja e tij dhe suksesi në botëror e ka ndryshuar jetën e tij, por jo edhe qëllimin e tij, të bëhet si idhulli i tij.

“Botërori ka ndryshuar shumëçka në jetën time. Pas suksesit që arritëm e ndjej se njerëzit më respektojnë më shumë dhe tentojnë të janë më afër meje. Po ndjehem mirë, por kjo nuk duhet të më mashtroj, duhet të vazhdoj punën dhe të përparoj në karrierë, me shpresë që një ditë ti arrij ato që i ka arritur Maradona apo t’i afrohem sukseseve që ka pasur ai”.

Kanë mjaftuar shtatë gola në botëror që Berisha të kërkohet nga klubet më të mëdha evropiane. Milan, Tottenham, Ajax, Liverpool, Sunderland janë vetëm disa nga klubet që e duan në radhët e veta. Por ai thotë se preferon fillimisht një klub më të vogël, e më pas të shoh vetën në ndonjë gjigant.

UBT

“Më gëzon interesi që po tregojnë klubet e mëdha për mua, por unë kam dëshirë që të kaloj në ndonjë klub pak më të vogël, ku do te kem mundësi të luaj dhe tregoj veten dhe në të njëjtën kohë të piqem si lojtar”, shtoi Berisha, i cili si dy vjeçar ishte nga vendlindja e tij, Deçani drejt Suedisë. Synimi i tij final është Italia, por para saj si opsion mund të jenë Holanda ose Anglia.

“E shoh futbollin holandez apo anglez si mundësi që të fitoj përvojën e duhur, e më pas të shkoj në Itali, që është edhe dëshira ime më e madhe. Aty Maradona ka arritur kulmin e karrierës dhe këtë dua ta bëjë edhe unë”. Si një tifoz i Manchester City, atij i kanë lënë mbresa braziliani Ronaldo dhe Zlatan Ibrahimoviq, me të cilin edhe e krahasojnë të gjithë. “Ronaldo ka qenë lojtar i madh, e është edhe Ibra. Nga lojtarë të tillë mund të mësosh shumë dhe fitosh motiv të madh për shkuar përpara në karrierë”, tha Berisha.

Kosova, një ditë pse jo

Sulmuesi i Halmstadit nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ditë të vesh edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

“Nuk e di. Nuk kam menduar për këtë deri më tashti. Por besoj se do ta bëja, në një të ardhme të afërt, kur futbolli i Kosovës do të njihet ndërkombëtarisht. Nuk kam pse mos të pranoj të luaj për Kosovën, kur jam lindur atje dhe gjithçka më lidh me Kosovën”, tha Berisha. “Do ta marr vendimin e duhur kur të vijë koha, e besoj që ajo të vijë sa më shpejt”, shtoi ai.