Fundamenti

Berisha i gatshëm të përballet me Juventusin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Sulmuesi kosovar, Besart Berisha, thotë se është gati të përballet me yjet e skuadrës së Juventusit.

Ai ka pohuar se do të jetë ndeshje e veçantë për të, pasi do të ketë rastin të përballet kundër ish-lojtarëve që kanë qenë kampion bote, e në veçanti ka nderin të takohet me portierin e Juventusit, Gianluigi Buffon, të cilin e vlerëson lart.

“Unë mendoj si një sulmues, kush është portieri. Dhe portieri është një kampion”, ka thënë Berisha të mërkurën për “illawarramercury.au”.

Berisha 29-vjeçar do të jetë në ekipin e yjeve të ligës së Australisë, ku të dielën do të përballet me Juventuesin në një ndeshje miqësore. Ish-sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë edhe vitin e shkuar ishte pjesë e ekipit të yjeve në ndeshjen kundër Manchester Unitedit. Madje kishte shënuar gol.

RCCOLA

“Unë kam qenë me fat që vitin e kaluar shënova një gol kundër Manchester United. Unë po shpresoj që mund ta përsëris këtë edhe këtë vit kundër Juventusit, duke i shënuar portierit më të mirë në botë”, ka theksuar Berisha.

Berisha këtë edicion do të luajë për skuadrën e Melbourne Victory. Te kjo skuadër u transferua në fund të edicionit nga skuadra e Brisbane Roar, ku theu disa rekorde personale dhe fitoi dy tituj.

“Mendoj se kam fituar përvojë, pasi kam luajtur edhe më herët në ndeshjen e yjeve. Kjo ma bën më të lehtë, sepse e di se si shkon ritmi. Unë shpresoj se këtë vit ne do të fitojmë këtë ndeshje”, ka deklaruar Berisha.
© KOHA.net