Eko Higjiena

Berat Buzhala: Servisimi i Isa Mustafës

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

“U bë i gjallë edhe Isa Mustafa, që për pak harruam se është Kryeministër i Kosovës. Reagimin për djemtë e kishte për faqe të zezë. Sikur ta kishte shkruar në selinë e PDK’së”, shkruan Berat Buzhala. Në vazhdim lexojeni të plotë shkrimin e tij të plotë. Në vitin 1993, Presidenti i sapozgjedhur i SHBA’ve, Bill Clinton, e kishte bllokuar për disa orë një pistë të një aeroporti në Los Angeles, derisa kishte arritur frizeri i tij në Air Force One për ta rregulluar flokun e Presidentit.

Me një skandal të tillë ishin marrë mediat serioze amerikane, duke e konsideruar ketë si qethjen më të shtrenjtë në histori të njerëzimit, ndonëse këshilltarët e Presidentit amerikan ishin përpjekur ta relativizojnë, mbi premisën se edhe Presidenti duhet të ketë të drejtë të qethet – qoftë edhe duke bllokuar aeroporte të tëra. Sepse agjenda e tij është e rënduar.

E nisa me ketë shembull, jo pse ky ishte skandali më i madh në historinë e njerëzimit, por pse edhe sjelljet jostandarde, jo morale, ndonëse mund të janë ligjore, nxisin reagime, ose nxisin irritim tek masa, por edhe tek mediat – siç ndodhi me rastin e Isa Mustafës dhe djemve të tij.

Patjetër që dëshiroj t’i besoj Kryeministrit Mustafa që ai nuk ka ditur asgjë rreth këtij tenderi dhe rreth këtij servisimi. Mirëpo logjika nuk është kjo. Logjika është se si stafi i Kryeministrit Mustafa i është nënshtruar dëshirës së djemve të Kryeministrit për ta fituar një tender të dyshimtë, qoftë edhe në vlerën prej 2000 a 3000 eurove. Ne vetëm mund ta imagjinojmë se çfarë do të ndodhte po të kishte qenë vlera e tenderit më e madhe se sa kaq.

Sigurisht se Mustafa mund të gjejë prehje për ketë rast, vetëm në mesin e udhëheqësisë së partnerëve të tij të koalicionit, të cilët mund ta ngushëllojnë duke i thënë se as që duhet të komunikojë më publikun nëse vlera e keqpërdorimeve është më e vogël se 1 milion euro.

Uji Dea

Realisht, në një botë normale demokratike, shumë më e rëndësishme se sa sasia e eurove të vjedhura dhe të shpërdoruara është reagimi që vjen pas publikimit të shpërdorimit. Mungesa e shprehjes së keqardhjes dhe pendimit. I tillë ishte reagimi i Kryeministrit Mustafa, i cili për të mbrojtur, ose për t’i shpërlarë familjaret e tij nga rasti, është në gjendje të sulmojë gjithë botën.

Tash për ketë rast fjalët janë shumë të tepërta. Nuk ka as çka të thuhet, kur kihet parasysh se çfarë është në gjendje të thotë në vetëmbrojtje Kryeministri.

Ndoshta e vetmja gjë pozitive në gjithë këtë rast është se më në fund, pas kaq kohësh në pozitën e Kryeministrit, Isa Mustafa arriti ta nxisë një reagim medial, për të na rikujtuar se ai është Kryeministër. Deri më tash, pothuajse e kishim harruar ketë gjë.

Ndoshta, qoftë edhe për keq, një këso raste do ta përmend Kryeministrin e harruar të Kosovës. Ka kaluar një kohë e gjatë prej kur është zgjedhur në krye të ekzekutivit dhe kjo është koha e fundit për të, që t’i nënshtrohet një servisimi gjeneral. Jo prej atyre servisimeve që i kryejnë djemtë e tij. Por shumë më rrënjësor.