Berat Buzhala: Lufta Speciale kundër Hajredin Kuçit
Përgjegjës për Tribunalin Special, nëse duhet ta kërkojmë një të tillë, edhe si vepër edhe si proces, është “një dhe i vetmi”, Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi. Por, për fat të keq, kamxhikun edhe më tutje po e ha Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. E kam provuar në lëkurën time. Ata që vijnë prej PDK’së janë më të rëndët.
Siç do të thoshin juristët: Hajredin Kuçi nuk është përgjegjës, as në frymë e as në germë për procesin e formimit të Gjykatës Speciale.
Ose mund ta themi edhe kështu: Hajredin Kuçi nuk është përgjegjës, as për Gjykatën Speciale e as përpara Gjykatës Speciale. Pra, nuk ka përgjegjësi as si akt e as si procedurë.
Ne mund edhe ta kryqëzojmë Ministrin e Drejtësisë për ketë çështje. Mund ta shpallim edhe tradhtar. Edhe ta djegim në turrë të druve, nëse bash kërkohet një kokë turku, por le të jemi të sinqertë, së paku me njëri-tjetrin: Po e djegim njeriun e gabuar, nëse besojmë që ekziston njeriu i duhur.
Hajredin Kuçi si ministër i Drejtësisë mund të mbahet përgjegjës për shumë vepra të tjera. Nën pushtetin e tij, drejtësia lokale nuk ka njohur ndonjë përparim, në aspektin përmbajtjesor, sepse sigurisht në aspektin formal ka hapa përpara. Ka rritje të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. E kemi një Kod Penal. Kemi edhe ligje të tjera të nevojshme. Është plotësuar në masë të madhe edhe infrastruktura në objekte, siç është bie fjala një Lagje e tërë e Drejtësisë, ndonëse e kontestuar kualitativisht. Ajo çfarë nuk ka arritur ta bëjë Kuçi gjatë këtyre viteve si ministër, ishte kthimi i besimit në gjykata. Edhe më tutje, si gjykatat, si prokuroritë, mbesin si autoritete thellësisht të politizuara dhe jokredibile në ndarjen e drejtësisë.
Por shtrohet pyetja: A i takon e gjithë përgjegjësia edhe këtu Kuçit?
Unë them jo. Ai mund të konsiderohet pjesë strukturore e krimit – siç ishte edhe autori i këtyre rreshtave për disa vite – por assesi koka e krimit.
Por le t’i kthehemi edhe njëherë kryegjësë: Tribunalit Special dhe tendencës së mediave dhe të opozitës që për ketë çështje ta gjykojnë paraprakisht Ministrin e Drejtësisë.
Nën një, unë personalisht jam në favor të themelimit të kësaj Gjykate. E kam thënë me dhjetëra herë e po e përsëris prapë, se nuk më intereson Serbia dhe mënyra sesi Bashkësia Ndërkombëtare e ka trajtuar ketë shtet në raport me krimet e luftës, sepse nuk jam shtetas i Serbisë, por i Kosovës. Prandaj, si banor i Kosovës do të doja shumë që zhvillohet një proces i hapur dhe transparent, para gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur, nëse rastësisht njerëzit me të cilët ne rrimë çdo ditë, përqafohemi, thirremi në telefon, pimë kafe, hamë pica e peshq, kanë kryer ose jo krime monstruoze për të cilat janë ngritur dyshime. Nuk do të doja që asnjë çast të jetës sime t’ua ndaja njerëzve të tillë, nëse ka të tillë për të cilët aludohet. Dhe prapë po e them se aspak nuk më intereson nëse monstra të tilla po gjykohen nga pala tjetër, Serbia, ose jo. Gjithashtu nuk besoj në pretendimet se e njëjta gjykatë, në çfarëdo rrethanash, do të mund të themelohej, ose iniciohej prej nesh. Nuk do të ishte e pavarur, nën një, dhe nën dy, askush nuk do t’u besonte broçkullave të tilla ballkanike. Ne nuk na besojnë – ndërkombëtarët – as kur e themi të vërtetën, e lëre më kur bëjmë improvizime që vërehen nga Hëna.
Mirëpo, se çfarë mendoj unë personalisht rreth këtij proces ka pak rëndësi. Më të rëndësishme e konsideroj që t’i jap mbështetje morale Hajredin Kuçit, i cili këto ditë është shndërruar në një target jashtëzakonisht të madh dhe të lehtë për t’u qëlluar. Në përmasa më të vogla, jo në këto përmasa të tradhtisë kombëtare, kam qenë edhe unë disa herë, kur isha zyrtar i PDK’së. Ish-partia ime, partia aktuale e Kuçit, ish-Kryetari i Partisë time, Kryetari i Partisë së Kuçit, Hashim Thaçi, e kanë për kënaqësi të të lënë në vetmi totale, kur më së shumti ke nevojë për një fjalë të mirë, për një solidaritet miqësor dhe njerëzor.
Kjo nuk ndodh prej tyre. Ndodh saktësisht e kundërta. Ajo çfarë kurrë nuk do ta kishe pritur: Zyrtarët e PDK’së, krahu i luftës, ndonjë i burgosur politik që ka zhvatur dhe uzurpuar në emër të luftës më shumë sesa secili serb në pjesën veriore të vendit, e ka për kënaqësi që të bëhet pjesë e konspiracionit me opozitën për t’i luftuar të ardhurit në PDK.
Për t’i shpallur ata tradhtarë dhe përgjegjës për kolaboracion, ose me serbët ose me armikun.
Dëshiroj ta them për herë të parë, sesi deputet i PDK’së, në dy raste i pata zënë në flagrancë, normalisht pa dëshirën dhe qëllimin tim, ish-kolegët e mi të PDK’së, tek komplotojnë me deputetët e Vetëvendosjes, kundër meje dhe kundër familjes time.
Kaq sa i përket solidaritetit partiak.
Dhe nuk e kam as fijen e dyshimit se deputetët e PDK’së, krahu i luftës, ata të njëjtit, duke qenë qyqarë, të paguximshëm, që ta godasin gozhdën mu në kokë, pra që ta drejtojnë gishtin kah Hashim Thaçi, dhe Kadri Veseli, si dy njerëzit kryesor në Republikë, dhe padyshim edhe në PDK, ata tash i turren Kuçit.
Dhe, për çudinë time, në të njëjtat koordinata janë edhe zyrtarët e AAK’së, Nisma’s dhe LDK’së. Edhe këta, ka kohë që tytat i kanë kthyer në drejtim të Kuçit.
Tash, disa fjalë rreth asaj se kush duhet të mbahet përgjegjës për ketë proces. Së pari duhet thënë se përgjegjësinë kryesore e ka Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi. Ai është edhe i dyshuar, si vepër penale, edhe përgjegjës, si politikani kryesor në vend.
I gjithë procesi është i lidhur ngushtë me emrin e tij. Pa të kjo ngjarja nuk do të fillonte, e nëse nuk do të fillonte atëherë as nuk do të vinte deri këtu. Dhe tash puna ka ardhur deri këtu, sepse nuk kemi qenë të zotët për ta ndalur procesin në faza të hershme – nuk e di, e as nuk më intereson të di, nëse janë përdorur të gjitha mjetet e duhura për ta ndalur. Jemi në një fazë ku pothuajse, ose Thaçi, ose shokët e tij më të mirë të luftës, do të gjenden në një dosje të madhe, si të akuzuar për krime lufte. Dhe nëse ka përgjegjës pse procesi, në mënyrë politike, ka ardhur deri në ketë fazë, atëherë përgjegjës është pikërisht Thaçi, si ish-Kryeministër. Kush është ai i çmendur që do ta besonte se Kuçi është aq i fuqishëm sa ia ka hedhur pas shpine edhe shefit të tij, ose shefave të tij komandantë? Këtë sigurisht nuk e beson as Ramush Haradinaj, shefi i AAK’së, kur e akuzon Kuçin për ‘dallavere’.
Pra, ne që e përcjellim politikën në baza ditore, e dimë, dhe pajtohemi për mënyrën sesi procesi ka arritur deri këtu: Kosova për shtatë vjet e ka pasur veç një shef politik. Madje nuk ka pasur as vend të dytë dhe të tretë, në këtë garë. Ai ka qenë Hashim Thaçi. Ai ka negociuar dhe ka biseduar për Tribunalin. Ai është përgjegjës për mirë a për keq pse jemi gjetur në ketë situatë, kur po kërkojmë viktima shumë më të lehta për t’i goditur, siç është Ministri i Drejtësisë.
Kush është përgjegjës për tash e tutje?
Prapë nuk është Ministri i Drejtësisë. Siç e thash më sipër, përgjegjësia e vetme e Kuçit është pse gjendet si pjesë e një strukture të kriminalizuar, siç është PDK. Pra, është përgjegjës që PDK ka qeverisur keq, shumë keq, këto vitet e fundit. Është përgjegjës që është rrënuar sistemi arsimor dhe shëndetësor. Që sistemi i drejtësisë, drejtësisë në mes nesh, dhe ai i ekonomisë është i korruptuar deri në fyt. Kjo është përgjegjësia e tij. Është përgjegjësi sistemore. Organike. Por jo individuale. Edhe jo për Tribunalin Special.
Tash e tutje përgjegjës për themelimin e kësaj Gjykate, e këtij Tribunali, është, prapë, Hashim Thaçi, si shefit i grupacionit më të madh politik, por tash në shoqëri të ngushtë edhe të Kadri Veselit, personi i dytë më i fuqishëm politik në vend, në të gjitha instancat, si ato shtetërore, si ato partiake. Tribunali as nuk mund të formohet e as nuk mund të dështojë pa i dhënë dritën e gjelbër Thaçi dhe Veseli. Roli i Kuçit në ketë proces, tash e tutje, është vetëm për disa nuanca më i rëndësishëm sesa roli i sekretarit permanent në Ministrinë e Drejtësisë, ose zëvendësministrit. Sigurisht se përgjegjësi institucionale ka edhe Kryeministri Isa Mustafa, ndonëse për ketë proces ai është vetëdorëzuar. I ka ngritur lart të gjitha gjymtyrët.
Kuçi, dhe të gjithë ata që pa kushte i janë nënshtruar për një kohë kaq të gjatë qeverisjes së PDK’së, do ta gjykojmë shumë më vonë. Do të gjykohet për mungesë morali dhe skrupulli në politikë. Do të gjykohet Kuçi, Hoxhaj, Çollaku, Çitaku, Selimi – për një pjesë edhe unë – dhe të gjithë ata që Thaçit i qëndruan afër, në mëkat dhe krim, deri në fund. Do të gjykohen për mungesë totale të integritetit, të çfarëdo lloji.
Por, për Tribunalin dhe në Tribunal, përgjegjësi kanë dhe përgjegjësi do të mbajnë disa të tjerë. Qofshin ata në kampin opozitar, a në kampin qeveritar.

