Hidromorava

Beqiri: Rama e injoroi historinë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë folur lidhur me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës.
Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Ramës i ka munguar një pjesë e historisë në fjalimin e tij duke thënë se e ka injoruar historinë dhe kulturën e ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Beqiri ka thënë se Rama e ka bërë me qëllim këtë fjalim ndërsa ia ka rikujtuar se një ndër kontribuuesit kryesor të shtetndërtimit të Kosovës ka qenë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, që kryeministri i posazgjedhur shqiptarë nuk e ka përmendur fare.

“Ky me vetëdije ka anashkaluar fakte të rritjes dhe zhvillimit të historisë së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Nëse zotëri Rama bëhet se nuk e dinë se kush janë kontribuuesit në lindjen, ndërtimin e shtetit të Kosovës, unë po ia rikujtoj. Nuk them se ai duhet ta dojë por e duan qytetarët dhe e dinë kontributin se një ndër ata ose kryesori ka qenë presidenti Rugova”, ka thënë Beqiri, transmeton KosovaPress.

Beqiri ka thënë se le të mbetet në ndërgjegjen e tij, dhe ka thënë se nuk e ka menduar se do të vijë në pozitë që ta interpretojë fjalimin e një kryeministri shqiptar, por arsyeja, sipas tij, është qasja e tij, injorimi i historisë dhe i kulturës në lindjen dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

RCCOLA

Ndërsa, Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se pesha e vizitës së Ramës është përtej përmbajtjes së fjalimit të tij, sepse, sipas tij, është me rëndësi për Kosovën që ta zhvilloj një vizitë kryeministri i ri i Shqipërisë.

“Kjo vizitë e ka një rëndësi tejet të çmueshme. Edhe nëse ndalemi në pikat kryesore të fjalimit të tij, mendoj që shpalosja e vizionit të tij në lidhje me hapësirat e përbashkëta shqiptare siç ishte ajo e arsimit, e sigurisë, e gjuhës, e unifikimit të sistemit arsimor, pastaj e mbledhjeve të përbashkëta të Qeverisë mendoj që e bën zotimin e tij edhe më të rëndësishëm sa i përket interesave të shtetit tonë”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, fjalimi i Ramës, artikulon pak a shumë në ato kornizat e trasha të interesit mbarëshqiptar, që nuk e bën veç Vetëvendosja. /Telegrafi/