Beqiri: Qeveria e Thaçit më e keqja që ka pasur ndonjëherë Kosova

Gjilan – Ismet Beqiri derisa i ka dhënë mbështetje maksimale Lutfi Hazirit për të qenë kryetar i ardhshëm i Gjilanit tha se Qeveria e Thaçit realisht është e rrezuar dhe ajo mirë që po shkon sepse është njëra nga qeveritë më të këqija që ka pasur ndonjëherë Kosova. Lutfi Haziri ka thënë se ndihet edhe më i sigurt në fitoren e tij sepse ka një rini dhe një armatë të tërë në LDK që e duan atë për kryetar të Gjilanit.
Në Konventën e Forumit të Rinisë së LDK-së në Gjilan pos kandidatit të LDK-së për kryetar të Gjilanit merrte pjesë edhe Ismet Beqiri, Lirije Kajtazi, Armend Zemaj, e Selver Xhelili etj.
Ismet Beqiri pasi ka dhënë komplimente pozitive për Lutfi Hazirin tha se Qeveria Thaçi nuk ka nevojë të rrezohet fare sepse ajo veç është e rrëzuar.”Mirë që po shkon kjo qeveri sepse është njëra nga qeveritë më të këqija që ka aspër ndonjëherë Kosova. Kjo Qeveri është shtri për toke sepse ka zhytur Kosovën dhe komunat në korrupsion, hajni e borxhe” tha Beqiri, raporton rajonipress.
Beqiri ndërkaq duke folur për Lutfi Hazirin tha se ai veç është kryetar i Gjilanit.”Nuk kemi asnjë fije dyshimi në fitoren e Hazirit sepse ky qytet dhe kjo rini ka nevojë për një kryetar si Haziri i cili është i kalitur, është lider në Anamoravë , i edukuar dhe autoritativ”.
Beqiri tha se është momenti historik që hajnat që po qeverisin në qendër e nëpër komuna, e të cilët shumica janë nën hetime, e që e kanë damkosur Kosovën të largohen nga skena dhe tu lëshojnë vend e hapësirë njerëzve që kanë punuar me vite për interesin kombëtar e shtetëror tha Beqiri.
Beqiri tha se Gjilani është shumë domethënës për LDK sepse realisht Gjilani është vet LDK-ja. Duke ironizuar me rivalët politikë Beqiri tha se kur Lutfi Haziir ka shkuar në Strasburg të tjerët kanë lozur nëpër fshatra.
Kurse Lutfi Haziri kandidat për kryetar të Gjilanit nga radhët e LDK-së tha se do të qeverisim me njerëz të mirë sepse LDK-ja tashmë është avancuar dhe kam borxh ndaj Gjilanit.
Haziri tha se sot po e ndien vetën edhe më fitues sepse ka një rini të mrekullueshme dhe ka një armatë të tërë në LDK që duan ndryshim dhe duan që kjo rini të nderohet dhe t`i jepet vendi i merituar.”LDK do të kujdeset maksimalisht për nevojat e juaja dhe nuk do lejojë tutje që të nëpërkëmbeni “ tha Haziri.
Haziri tha se me të gjitha të këqijat që ka pasur ky pushtet qendror e komunal duhet të ndërrohet sa më parë për t`ia kthyer dinjitetin dhe namin zhvillimit e progresit tha Haziri i cili edhe njëherë e ka akuzuar pushtetin komunal se po lenë shumë borxhe dhe po e zhyt çdo ditë e më shumë Gjilanin në kolaps financiar.
Selver Xhelili nga Lëvizja Republikane partner i koalicionit parazgjedhor e ka përkrahur Hazirin dhe ka kërkuar nga të rinjtë gjilanas që ta mbështesin e përkrahin me votën e tyre liderin e pakontestueshëm të Anamoravës.
Në këtë konventë ka folur edhe Armend Ibrahimi kryetar i Forumit qendror të LDK-së i cili tha se LDK-ja s`ka nevojë të fitojë sepse ka nevojë të fitojë Kosova.
Rina Ahmeti kryetare e Forumit të LDK-së në Gjilan tha se për 6 vite pushteti lokal nuk ka bërë asgjë për rininë gjilanase.”Përmes rinisë aktive do ta ndryshojmë Gjilanin për ta sjellur në pushtet njeriun e adhuruar nga të rinjtë dhe i cili me kohë ka ecur nëpër dyert e Evropës” tha Ahmeti.
Mentor Korqa nënkryetar i Forumit të Rinisë në Gjilan ka paraqitur programin e tyre që është shumë ambicioz dhe u lënë hapësirë të rinjve për të pasur në shfrytëzim shumë resurse që nuk i ka shfrytëzuar fatkeqësisht pushteti i tanishëm./rajonipress/