Beqiri: Nuk kemi institucione kredibile

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë për “Zërin” se tani përveçqë Kosovën nuk po e njohin shtete tjera, disa edhe po i tërheqin njohjet.
“Jo që nuk po na njohin shtetet, por kemi hyrë në një fazë kritike ku disa vende po e rishqyrtojnë çështjen e njohjeve, fatkeqësisht. Nëse edhe kjo s’është e vërtetë, e vërteta kryesore është që s’kemi njohje të reja. Pse kjo po ndodh? Është shumë e qartë se kemi mungesë të institucioneve kredibile, kemi mungesë të sundimit të ligjit dhe shumë probleme të tjera, të cilat fatkeqësisht na janë shumëfishuar me këtë qeverisje që kemi, me këto institucione”, ka deklaruar Beqiri.
Sipas tij, Kosova ka dështuar edhe në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe në anëtarësim në INTERPOL.
“Ne po ashtu kemi tash edhe problemin e liberalizimit të vizave. Dhashtë Zoti që ne të marrim sinjale pozitive, por është pak e besueshme sepse janë po këto arsye që kemi mungesë të liberalizimit të vizave dhe tash edhe mungesë të anëtarësimit nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare, siç është INTERPOL-i”, ka shtuar Beqiri. /ZERI