Beqaj: S’lejojmë nënçmimin e qytetarëve dhe produkteve

Kosova nuk do të lejojë asnjë produkt nga Maqedonia të hyjë në Kosovë, derisa ky shtet, do t’i heq masat e vëna, për produktet dhe qytetarët e Kosovës. Kështu ka thënë ministri i Financave Besim Beqaj. Ai tha se kjo masë e marrë nga Qeveria e Kosovës për të mos lejuar asnjë produkt nga Maqedonia të hyjë në Kosovë, është një kundërpërgjigje ndaj masave të marra nga Maqedonia, të cilat nga karakteri ekonomik kanë kaluar në karakter të lëvizjes së lirë për qytetarët.
“Ne nuk do të lejojmë asnjë produkt nga Maqedonia, përderisa ata të heqin të gjitha masat që i kanë vënë pa të drejtë për produktet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Sot kur po flasim, kufiri është i mbyllur nga ana e tyre dhe ne iu kemi thënë edhe dje në një takim se jemi të gatshëm, dëshirojmë fqinjësi dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor me të gjitha vendet. Por gjithsesi që do ta ruajmë identitetin shtetëror, do ta ruajmë interesin e qytetarit të Republikës së Kosovës dhe do ta ruajmë në masën maksimale, interesin e ekonomisë së Kosovës”, tha ministri Beqaj.
Ai theksoi se Kosova nuk është e interesuar për bllokada, por se nuk do të lejojë që në asnjë rrethanë të nënçmohen produktet dhe qytetarët e vendit tonë. “Ne nuk jemi të interesuar për bllokada. Por nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që qytetari dhe produkti jonë të nënçmohet, nga cili do vend që të jetë në rajon”, tha Beqaj.
Ndryshe, Transportuesit e Maqedonisë mbrëmë në mesnatë kanë bllokuar kufirin Kosovë-Maqedoni. Bllokimi ka ndodhur në pikën kufitare të Bllacës, ku në shenjë proteste të bllokadës tregtare të Kosovës, janë rreth dhjetë kamion dhe katër autobus që kanë bllokuar kalimin e qytetarëve për në Kosovë.
Ndërsa Qeveria e Maqedonisë, ka nisur një mbledhje urgjente për të shqyrtuar situatën e krijuar lidhur me embargon dhe ‘luftën’ tregtare me Kosovën. /Telegrafi/