Uji Dea

Beqaj- Privatizimi sjell zhvillime pozitive

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Besim Beqaj: “Nga blerësi i distribucionit të KEK-ut, kemi marrë një zotim se do të investojë 300 milionë euro në fushën e distribucionit”

Në intervistën për albinfo.ch, ministri kosovar të zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj flet për rëndësinë që kanë konferencat për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë dhe për njohjen e të huajve me realitetin kosovar. Ndërsa, duke folur rreth shitjes së distribucionit të KEK-ut, që ka ngjallur reagime të ashpra, thotë se “kemi bërë një privatizim shumë të rëndësishëm”. Çmimin e ulët të shitjes, ministri e arsyeton me detyrimet për investimin e 300 milionë eurove që ka marrë blerësi bashkë me marrjen në pronësi të distribucionit.

Intervista është zhvilluar në kuadër të tryezës për investimet në Kosovë, të mbajtur javën e kaluar në Lozanë.

Albinfo.ch: Z. ministër. Kjo tryezë që u organizua sot është, njëra nga shumë sish të organizuar në Zvicër në këto vitet e fundit. Ku e shihni ju arsyen e një organizimi të tillë, kur nuk po shohim ndonjë rritje të investimeve në Kosovë?

Besim Beqaj: Unë besoj se nga këto prezantime dhe nga këto takime kemi shanse për ta prezantuar bazën ligjore për investimet. Por, po ashtu na jepet mundësia që të komunikojmë për shqetësimet e investitorëve potencialë, për përvojat e investimeve të tyre në Kosovë dhe të tentojmë të gjejmë gjuhë të përbashkët. Si rezultat i këtyre takimeve, jo vetëm në Zvicër, janë zhvilluar shumë vizita në Kosovë. Dhe vizitorët, së paku kanë shprehur interesim për investime dhe kanë folur për realitetin në Kosovë, që nuk përkon me imazhin me të cilin nganjëherë e portretojnë mediet e ndryshme evropiane dhe botërore.

Albinfo.ch: A mendoni se kësaj here keni sjellë risi për investitorët zviceranë?

Eco Higjiena

Besim Beqaj: Jam shumë i bindur se ne u kemi treguar pjesëmarrësve zviceranë se në Kosovë gjërat po lëvizin relativisht fuqishëm. Unë i njoftova për sektorin e energjisë ku ne kemi bërë një privatizim shumë të rëndësishëm, është fjala për shitjen e disitribucionit të KEK-ut.

Po ashtu, ne tani jemi në fazën e ndërtimit të termocentralit të ri, Kosova e Re. Jemi në fazën e ndërtimit të infrastrukturës. Jemi po ashtu pothuaj në fazën e përmbylljes të krijimit të bazës ligjore për energji alternative. Dhe në fazën përmbyllëse të krijimit të bazës ligjore për sektorin e minierave. Të gjitha këto janë potenciale dhe mundësi jashtëzakonisht të mëdha që sigurisht do të shtyjnë biznesin zviceran të gjejë arsye për të investuar në Kosovë.

Albinfo.ch: Por pikërisht shitja e distribucionit ka ngjallur shqetësime dhe madje ka qenë edhe shkas për protesta në Prishtinë. Arsye për shqetësimet në fjalë ka qenë shitja e tij me çmim që konsiderohet i ulët. Si do ta shpjegonit ju këtë?

Besim Beqaj: Çmimi përcaktohet nga tregu. Por ne, në rastin e distribucionit, e kemi bërë një kontratë e cila fokusin e ka te investimet në të ardhmen. Ne e kemi marrë një zotim nga blerësi se do të investojë 300 milionë euro në fushën e distribucionit. Kemi eliminuar të gjitha garancionet që shteti është dashur t`i japë (që kudo në rajon, në rastet e ngjashme shtetet i kanë dhënë). Prandaj, besoj se nëse krahasohet kontrata jonë me kontratat e ngjashme në Maqedoni ose Shqipëri, ajo është larg më e mirë sepse i kushton shumë më pak konsumatorit. Qeveria nuk ka shikuar që përmes një çmimi të lartë të arrijë ndonjë efekt afatshkurtë, por ka bërë strategji afatgjatë dhe fokusi ka qenë te investimet dhe jo te “cash”-i i cili mund të merrej tani.

Albinfo.ch: Por, a parashihen penalitete ndaj blerësit në rast se ai nuk i plotëson zotimet për investime?

Besim Beqaj: Absolutisht po. Ne në kontratë kemi një provizion i cili i jepet shtetit, në bazë të të cilit, nëse nuk realizohet kontrata, ai (shteti) ka të drejtë ta marrë kompaninë nga blerësi, pa i dhënë atij asnjë kompensim.