Beqaj: Kosova do të ketë rritje ekonomike 4.1%

Ministri i Financave (MF), Besim Beqaj, tha se Kosova vazhdon trendin pozitiv të rritjes ekonomike, që në vitin 2014 pritet të arrijë në 4.1 për qind. Por sipas tij, kjo është e pamjaftueshme duke marrë parasysh nevojat që ka vendi. Në konferencën e fundvitit, ministri Beqaj, përsëriti se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë rritje të pagave në sektorin publik, por kjo do të ndodh pas vendimit të qeverisë.
Kosova vazhdon të shënojë rritjen ekonomike më të lartë në rajon. Sipas Qeverisë, rritja sivjet ka arritur në 3.2 për qind, kurse sipas Bankës Botërore rreth 3 për qind, që është shkalla më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Ky ritëm, sipas ministrit Besim Beqaj do të vazhdojë edhe në vitin 2014, kur rritja pritet të arrijë në rreth 4.1 për qind.
“Kjo rritje ekonomike në krahasim me gjendjen ekonomike në BE dhe në botë konsiderohet jashtëzakonisht pozitive, por nëse e krahasojmë me nevojat që ka vendi ynë, sigurisht që pritet dhe duhet të ketë rritje ekonomike më të madhe dhe në këtë drejtim jemi duke u angazhuar që aktivitetin ekonomik t’ia kthejmë biznesit”, tha ai.
Gjatë këtij viti, ministri Beqaj tha se ka pasur rritje të të hyrave buxhetore nga ATK-ja, rreth 8 për qind më shumë se gjatë vitit të kaluar, apo 1 për qind më shumë së plani, dhe eksporti ka shënuar rritje për 55 milionë euro, duke ndikuar në zvogëlimin e deficitit tregtar. Ndërkaq shpenzimet janë realizuar sipas planit, rreth 1 miliardë e 466 milionë euro. Beqaj përsëriti se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë rritje të pagave dhe për këtë tashmë është paraparë fondi prej rreth 50 milionë eurosh.
“Në vitin 2014 do të ketë rritje të pagave, por kjo varet nga një vendimi i qeverisë për nivelin e rritjes dhe momentin prej kur do të fillojnë të rriten. Por ne si ministri e financave masë monetare për rritje kemi”, tha ai.
Ministri Beqaj ndër sukseset e ministrisë përmendi përmbylljen me sukses të marrëveshjes me “Stand by” FMN-në, dhe marrëveshjet me organizata tjera financiare. Njëkohësisht theksoi se këtë vit kanë hequr TVSH-në për prodhuesit bujqësor, që ka ndikuar në shtimin e aktivitetit në brendi të vendit. Ndërkaq vitin e ardhshëm, ai theksoi se do të vazhdojnë angazhimin sidomos në luftë kundër ekonomisë joformale. /Telegrafi/