Beqaj: Janë dy variante për krijimin e institucioneve të reja
Politologu Belul Beqaj ka thënë se skena politike në Kosovë gjendet përballë dy varianteve për krijimin e institucioneve të reja.
“Varianti i parë, pra, që PAN-i ta formojë Qeverinë, duket se nuk do të jetë ashtu siç kanë qenë deklaratat. Së paku, edhe nëse formohet, do të jetë shumë i brishtë koalicioni qeveritar dhe si i tillë lë për të dëshiruar se mund të ketë jetë të gjatë. Në variantin e dytë, pavarësisht se çfarë mendon personalisht presidenti (Hashim Thaçi), besoj që – duke i parë kontaktet e deritanishme me ndërkombëtarët, bashkësia ndërkombëtare, shtetet e Quintit, do ta detyrojnë Thaçin që t’i japin mundësinë që të formohet Qeveria nga Vetëvendosja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe subjektet tjera”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, profesor i shkencave politike, Belul Beqaj.
Ai beson që pavarësisht se cili subjekt apo koalicion do të qeverisë në këtë mandat, nuk do ta ketë jetën e gjatë, por në anën tjetër as një bllokadë për formimin e Qeverisë dhe shkuarja sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk janë zgjidhje për situatën dhe përballë proceseve që e presin Kosovën.


