Beqaj: Alternativa e mirëfilltë politike nuk ndërtohet me AAK-në dhe Nisman – as me dhunë!
Bazuar në deklaratat e fundit nga anëtarët e subjekteve të bllokut opozitar e deri te anulimi i protestës së 26 marsit, është parë se ka një përçarje brenda opozitës së bashkuar.
Për politologun Belul Beqaj, blloku opozitar është imitim i koalicionit të pushtetit dhe fundi i këtij blloku është fund i një iluzioni.
“Mjerisht, blloku opozitar është imitim i koalicionit të pushtetit dhe fundi i këtij blloku në fakt është fund i një iluzioni. Por, në anën tjetër mund të jetë fillim për të krijuar alternativë të mirëfilltë politike e cila nuk ndërtohet me AAK dhe Nismën, as me injorimin e institucioneve të shtetit të Kosovës as me dhunë. Vetëvendosja, nëse bënë këto rishikime besoj se do të ketë mbështetjen e atyre që reflektojnë idetë e mirëfillta social demokratike. Qytetarëve nuk po iu intereson kush është fitues, por cili program ,subjekt është alternativ për gjendjen e katandisur morale,ekonomike,institucionale” , ka thënë Beqaj për Indeksonline.
Sipas tij, opozita nuk ka mundur t’i bind qytetarët se është kundër këtij pushteti.
“Vetëvendosje duhet dhënë fundit imitimit të një koalicioni të panatyrshëm opozitar, opozita nuk ka mundur t’i bind qytetarët se është kundër këtij pushteti me njerëz që i ka ngritur dhe janë ngritur nga ai soj i pushtetit. Vetëvendosje do të përforcohet vetëm nëse thellon aleancën me qytetarët ngase aty është potenciali i shëndetshëm më i madh. Së dyti, duhet të vazhdojë kundërshtimin e politikës së pushtetit por jo edhe institucionet e shtetit. Së treti, vazhdon artikulimin e qartë të argumenteve, ngase fuqia më e madhe e Vetëvendosjes ka qenë artikulimi i qartë politikë e jo dhuna. Dhuna le të mbetet argument i pushtetit. Fundja, nëse bënë edhe disa rivlerësime kadrovike të cilat nuk reflektojnë imazhin e Vetëvendosjes, besoj se ajo do të përfitoj një armatë të qytetarëve të lodhur nga pushtetet e deritanishme” , ka thënë Beqaj.


