Beogradi kërkon gjykatë ad hoc për krimet që pretendon Dick Mart

Zëvendësprokurori për Krime Lufte në Serbi, Bruno Vekariq, ka kërkuar që të krijohet një gjykatë ad hoc, për krime që, sipas raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marti, u kryen në Kosovë nga viti 1998 deri në 2000 dhe se kjo gjykatë të mos ketë lidhje me Tribunalin e Hagës. “Kemi informata nga kontaktet tona me akterët ndërkombëtarë që do të mund të themelohej një tribunal ad hoc, ku do të zbatohej e drejta vendëse me gjykatës ndërkombëtarë dhe do të ishte e vendosur diku në Evropë sepse fjala është për ekipin special hetues të EULEX-it”, tha Vekariq për RTS-në.
Ai nuk precizoi nëse zbatimi i së drejtës vendëse nënkupton që në këtë gjykatë do të zbatoheshin ligjet e Serbisë apo të Kosovës. Vekariq përmendi se paralajmërimi për themelimin e gjykatës është ide e mirë dhe se ambienti politik kohëve të fundit mundësoi që për këtë të flitet më lirë.
“Parlamenti shqiptar kishte sjellë vendim që kryeprokurori i Komisionit Evropian për hetime rreth tregtisë me organe, Clint Williamson t’i lejohej hetimi për këtë rast e që më herët nuk kishte ndodhur. Edhe marrëveshja në Bruksel po ashtu kontribuoi që të ketë komunikim më të mirë”, theksoi ai.