“Belle Air” vjedh pasagjerët dhe Qeverinë

Gjashtë policë të Kosovës, një i EULEX-it, dhe mbi katër punëtorë të sigurimit, e ruanin të dielën sportelin e aviokompanisë “Belle Air”, e cila gjendet brenda terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Megjithatë, as këto forca policore nuk mund t’i ndalnin qindra qytetarë, të cilët shtyheshin me bërryla për të marrë informacione rreth vonesave dhe anulimit të fluturimeve nga kjo kompani, sidomos për në Zvicër dhe Gjermani.
Sali Topojani nga Kaçaniku së bashku me gruan e tij e kombësisë gjermane dhe dy fëmijë, të premten e kaluar kishin hyrë në avion për t’u nisur drejt Dyseldorfit të Gjermanisë. Mirëpo, në moment të fundit atij iu është thënë që duhet të dalë nga avioni, sepse numri i udhëtarëve është më i madh se numri i ulëseve.
“Këta të kompanisë na thanë se duhet të presim deri të dielën në orën 17:00 për të fluturuar, mirëpo edhe sot për arsye të panjohura është anuluar fluturimi. Ne nuk dimë se çka të bëjmë dhe ku të shkojmë. Si pasojë e vonesave ne po i humbasim vendet tona të punës. Ky është mjerim. Veç në Kosovë ndodhin gjëra të tilla”, shprehet i mllefosur ai, derisa tentonte të merrte sqarime nga punëtorët e kompanisë “Belle Air”.
Mirëpo, as pas shumë përpjekjesh nuk arriti të bëjë një gjë të tillë. Topojani nga distanca kërkonte nga stafi i kompanisë që t’i japin një dokument rreth anulimit të fluturimit, por tre punëtorët e kësaj kompanie, dy nga Shqipëria dhe njëri nga Kosova, nuk e bënin një gjë të tillë.
Madje ky i fundit kishte sjellje arrogante, edhe në raport me gazetarët e gazetës “Zëri” dhe të Radio Televizionit 21, të cilët bisedonin me qytetarë afër sportelit, të cilët pritnin me orë të tëra për të marrë informacione. “Vonesat po bëhen veç për pikë të qejfit”, thoshte punëtori i “Belle Air”, derisa fshihte ID-në e tij.
Shtyrjet dhe pritjet me orë të tëra janë bërë të padurueshme për familjen Topojani.
“A ka Kosova institucione dhe ata a po e shikojnë se çfarë po na ndodh neve. Ky është mjerim. Nuk ka mbetur me ardhë në këtë shtet. Kompanitë mashtruese siç është ‘Belle Air’ po plaçkitin qytetarët e Kosovës, ku disa nga ta po na lënë edhe pa vende pune”, tha i zhgënjyer ai./zeri/