ARKATANA

Bëjeni kos!

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ibrahim Rexhepi – Për shkak të fermave të paorganizuara dhe tregut të pakontrolluar 34 për qind e qumështit të prodhuar “mbetet” për viça, kurse 29 për qind shitet në shishe të coca-colës. Problem është tregu, e jo konsumatori.

Për nga sasia e konsumit të qumështit kosovarët janë para serbëve, kroatëve, boshnjakëve dhe maqedonasve. Por, sikurse të kishte statistika edhe për sasinë e qumështit që konsumojnë viçat, sërish Kosova do të ishte në vendin e parë, meqenëse në fermë mbetet 34 për qind nga 355 mijë litra qumësht që prodhohen në ditë. Ndërkaq, edhe në tregun e bulmetit në shishe të “coca-colës” shitet 29 për qind e kësaj sasie. Pra, 63 për qind e qumështit të prodhuar mbetet jashtë tregut, apo ai tregtohet në mënyrë klandestine- të pakontrolluar.

Po ashtu, statistikat tregojnë se Kosova prodhon mjaft qumësht. Madje, sikurse ai të nxirrej në treg dhe përpunuesit të ofrojnë asortimanin e nevojshëm, nevojat për import do të ishin shumë më të vogla. Sipas tyre, janë 39 subjekte ekonomike të licencuara për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit. Qumështoret, sipas të dhënave të subjekteve të licencuara nga AUVK-u brenda ditës mund të përpunojnë 550 mijë litra qumësht, ose 200 mijë litra më shumë se që prodhohet në 1.800 ferma, përkatësisht nga mbi 152 mijë krerë gjedhë sa evidentohen në vend. Pa marrë parasysh këtë shpërputhje shumë të madhe, megjithatë, shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë degë është e ulët, që reflekton edhe me normën e ulët të profitabilitetit. I tërë ky kaos në këtë treg favorizon importin, i cili duket shumë i madh, nëse ai krahasohet me sasinë e prodhimit të brendshëm dhe atë të konsumit. Brenda vitit importohen 40-50 mijë tonelata qumësht, apo produkte të tij- dhe kryesisht bëhet fjalë për qumështin me afat të gjatë të përdorimit, ku dominon Sllovenia, prej nga importohen 14,6 milionë litra produkte të ndryshme, e pas saj është Hungaria përgjysmë më pak, kurse Shqipëria gjendet ne vendin e tetë me 191 mijë litra.

Nëse kemi parasysh strukturën e importit, atëherë nga jasht nuk vjen diçka që nuk mund të prodhohet në vend, pos afër 360 mijë kilogram qumësht pluhur, për të cilin ka dyshim se përdoret edhe për produktet e qumështit, me të cilin shkelen standardet e prodhimit. Megjithatë, përpunuesit e qumështit e mohojnë përdorimin e tij. Por, këtu është me rëndësi se në Kosovë mund të prodhohen të gjitha produktet e importuara, vetëm është në pyetje sasia dhe asortimani i prodhimit. Pra, kjo është e vetmja degë që ka arritur të përballet e konkurrencën, shpesh edhe jo korrekte, nga importi. Prandaj ajo duhet të ketë më shumë mbrojtje. Madje, për këtë ka shumë arsye, ndërsa ndër më të rëndësishmet është ndikimi i saj në zhvillimin fshatit dhe zbutjen e problemeve sociale të tij, si edhe ndikimi në bilancin tregtar të vendit.
Protestat e ditëve të fundit të prodhuesve dhe të përpuneusve të qumështit kanë nxjerrë në sipërfaqe anomali të shumta të pranishme në këtë treg. Më i rëndë është importi i pakontrolluar i këtyre produkteve, ku përgjegjësinë së pari e kanë ata që duhet të bëjnë kontrollin në kufi dhe në tregun e brendshëm, e pastaj edhe tregtarët e importuesit. Pse duhet të importohen produkte që nuk plotësojnë kriteret e cilësisë, madje edhe duke ua ndryshuar deklaratën? Vetëm për fitime të pandershme dhe krejt në dëm të zhvillimit të vendit, si sektorit të blegtorisë, ashtu edhe të përpunimit. Kjo duhet të nxitë mekanizmat shtetërorë që çështjen ta trajtojnë shumë më seriozisht, e jo që përkushtimin për treg të hapur dhe të konkurrencës së lirë ta përdorin si paravan për të toleruar lojërat e ndotura që ndodhin këtu.

FIDANISHTJA

Edhe pse ka deklarata se dikush nga protestuesit ka tendencë të krijoj monopol në treg, këtë e ka vështirë ta bëjë. Meqenëse, së pari, askush nuk po kërkon bllokimin importit, por kontrollin e tij dhe se në Kosovë janë 30 qumështore të licencuar, ku secila prej tyre do të kërkoj hise në treg, çka do të thotë se ka lojtarë që mund ta zhvillojnë konkurrencën. Mirëpo, është e kuptueshme se të gjithë nuk mund të ketë fuqinë e barabartë, meqenëse në mesin e tyre janë disa që kanë kapacitete më të mëdha, apo se kanë investuar më shumë në teknologji. Megjithatë, këtu për secilin ka vend.

AUVK-u, si edhe mekanizmat e tjerë për kontrollin e tregut tash përballen me kërkesën që të jenë më energjik kur janë në pyetje cilësia dhe standardet e produkteve të importuara. Këtë përgjegjësi nuk e kanë vetëm pse kërkojnë protestuesit, pro për të rregulluar tregun e një sektori që premton zhvillim. Ata duhet të veprojnë që të mos derdhet sasi e madhe qumështit, i cili, së paku, mund të bëhet kos e jogurt.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)