BE’ja ta mbajë fjalën për vizat, thotë Hoxha

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, i ka quajtur joracionale dilemat e disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ajo ka thënë se dilemat e tilla e cenojnë rëndë kredibilitetin e BE’së.
Në një intervistë dhënë për gazetën ‘Epoka e Re’, Hoxha ka thënë se është mjaft e çuditshme që Kosova po përballet me dilema dhe pasiguri sa i përket liberalizimit të vizave, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret.
Megjithatë, ajo shpreson se BE’ja do t’i përmbahet premtimit për vizat.
Hoxha ka deklaruar se është thelbësore që vendimmarrja për vizat të bëhet në fillim të dhjetorit.
Ajo ka bërë me dije se dështimi eventual i BE’së për liberalizimin e vizave pas përmbushjes së kritereve do ta vinte në pikëpyetje besimin e Kosovës karshi BE’së.