FIDANISHTJA

Behgjet Pacolli reagon ndaj raportimeve për MABCO: Jemi të gatshëm për çdo hetim, mbi 95 milionë euro janë investuar në projektin e VIA-s

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht ndaj raportimeve të publikuara nga një portal informativ, sipas të cilave pretendohet se Prokuroria e Tiranës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Kosovës sqarime lidhur me destinimin e mjeteve të një huaje të marrë nga kompania MABCO, me arsyetimin se në Shqipëri thuhet se kanë hyrë vetëm 15 milionë euro.

Në reagimin e tij, Pacolli shprehet se deklarimet e publikuara janë bërë pa njohuri të plotë të fakteve dhe paralajmëron se, nëse konfirmohen veprime të tilla institucionale, atëherë sipas tij do të bëhet edhe më e qartë qasja që ai e quan “dekonstruktive” ndaj kompanisë MABCO.

Ai thekson se, ndërsa kallëzimet penale të dorëzuara nga MABCO nuk kanë marrë trajtimin e duhur institucional, në anën tjetër po ndërmerren veprime që, sipas tij, ngrejnë pikëpyetje serioze.

Pacolli rikujton se ai dhe Emin Pacolli janë intervistuar nga autoritetet gjatë muajit tetor të vitit 2025 dhe shton se, në rast se do të ishte kërkuar, kompania do të kishte vënë në dispozicion të gjitha historikët bankarë dhe dokumentacionin financiar përkatës.

“Jo 15 milionë, as 43 milionë euro, por mbi 95 milionë euro janë investuar nga MABCO në projektin e VIA-s dhe këtë e kemi të audituar dhe të konfirmuar nga auditorë ndërkombëtarë. Prandaj, pretendimi se mjetet e një financimi privat janë përdorur për projekte jashtë VIA-s nuk është vetëm i pasaktë, por edhe i pakuptimtë”, deklaron Pacolli.

Sipas tij, vetë MABCO ka kërkuar nga administrata tatimore e Shqipërisë dhe institucionet e tjera kompetente që të verifikojnë në tërësi gjendjen financiare dhe burimin e mjeteve të investuara.

“Prandaj, MABCO jo vetëm që ka qenë transparente, por në mënyrë të vazhdueshme ka ftuar dhe ka bërë thirrje për auditim, verifikim dhe certifikim të prejardhjes së mjeteve të investuara nga të gjitha palët”, thuhet në reagim.

Uji Dea

Në fund të deklaratës, Pacolli shpreh shqetësimin e tij për atë që e konsideron si një seri veprimesh kundërshtuese pas vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 26 maj 2026, ku sipas tij kompania ka dalë fituese.

“MABCO shpreh zhgënjimin e saj pas konstatimit se që nga fitorja në Gjykatën e Lartë, janë ndërmarrë sulme, intimidime dhe veprime kundërshtuese nga institucione shtetërore”, thekson ai.

Pacolli apelon që çdo organ kompetent, në Kosovë apo jashtë saj, të hetojë dhe verifikojë çdo transaksion financiar të kompanisë.

“Pa asnjë problem. Apeloj që çdo organ kompetent, kudo qoftë ai, të hetojë dhe verifikojë çdo lëvizje. MABCO nuk është një kompani guackë; është një shoqëri miliardëshe, financat e së cilës janë të audituara dhe të verifikuara në disa nivele, me monitorim dhe kontroll në kohë reale”, deklaron ai.

Në reagimin e tij, Pacolli nuk kursen as kritikat ndaj ish-drejtuesve të projektit, duke përmendur me emër Valon Ademin dhe Valon Llukën. Ai pretendon se në të kaluarën, përmes një kredie të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), janë realizuar pagesa që sipas tij kapin vlerën mbi 35 milionë euro për punë të kryera, pa kontroll dhe pa miratim nga bordi i aksionarëve.

Deklarata e Pacollit vjen në një kohë kur debati rreth investimeve, financimit dhe zhvillimeve juridike që lidhen me projektin e VIA-s vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve publike në Kosovë dhe Shqipëri./rajonipress/