Uji Dea

Behgjet Pacolli, qytetar nderi i Korçës

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Si njofton Zyra e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, të premten atij i është dorëzuar mirënjohja “Qytetar nderi i Korçës”, aktivitet ky i organizuar në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Në amfiteatrin e Universitetit Fan Noli të Korçës, mbushur me autoritete akademike, të zgjedhur lokalë dhe studentë, Pacolli, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, mbajti leksionin me titull “Korça në kuadër të Hapësirës Mbarëkombëtare të zhvillimit”, thuhet në njoftim.

Pacolli bëri thirrje për “njëmendësi”, “për një jetë mendore të përbashkët”, për një Korçë, “urë lidhëse në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Selanik”. Ai kërkoi që Universiteti i Korçës të hartonte projekte që t’ia rikthenin Korçës rëndësinë e madhe ekonomike dhe kulturore në rajon, që ky Universitet të shndërrohej “në fuqi morale intelektuale”.

Mobi Casa

Më pas zëvendëskryeministri kosovar vizitoi muzeun e artit mesjetar dhe Shkollën e parë shqipe, ku ofroi një donacion për mirëmbajtjen e këtij tempulli të mësimit shqip. Ai vizitoi dhe “Birrën Korça”, një biznes emblemë të qytetit të Korçës.

Niko Peleshi, kryetari i baskisë së Korçës, e quajti nder që “Korça fitoi një bashkëqytetar të ri, në personin e zotëri Behgjet Pacollit, një personalitet të shquar të botës shqiptare, një patrioti të përkushtuar për Kosovën dhe kombin shqiptar, një shqiptari të madh”, kurse Pacolli tha se “ndihet i lumtur që merr një nderim të tillë nga Korça, një vatër e njohur e qytetërimit të hershëm dhe modern shqiptar, një qyteti që e ka ndihmuar Kosovën gjatë luftës së vitit 1999.

Vizita e tij në Shqipëri vijon me pjesëmarrje në Mbrëmjen gala të Albanian Excellence, ku ai do të marrë çmim si njëri ndër 100 personalitetet më të shquara të diasporës, në 100 vjetët e themelimit të shtetit shqiptar, përfundon komunikata.