ROBERT UKAJ

Behgjet Pacolli ngre shqetësime për sistemin gjyqësor dhe vonesat në Aeroportin e Vlorës: “Koha do të nxjerrë përgjegjësitë”

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Prishtinë/Tiranë – Ish-zëvendëskryeministri dhe biznesmeni i njohur, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet që, sipas tij, po ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e përfundimit të punimeve dhe nisjen e operacioneve në Aeroportin e Vlorës.

Përmes një deklarimi publik, Pacolli ka shprehur shqetësimin e tij për atë që e cilëson si sfidim të hierarkisë gjyqësore në Shqipëri, duke pretenduar se një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët ka injoruar dhe kundërshtuar vendimet e Kolegjit të Gjykatës së Lartë për çështje juridike të trajtuara më parë nga instanca më e lartë e drejtësisë.

Sipas Pacollit, një praktikë e tillë cenon sigurinë juridike, besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe imazhin e shtetit shqiptar, duke krijuar pasiguri për investimet strategjike dhe projektet me interes publik.

Ai ka shkuar edhe më tej, duke deklaruar se vonesat në Aeroportin e Vlorës nuk janë të rastësishme, por sipas bindjes së tij lidhen me grupe të organizuara që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe që mund të kenë mbështetje nga faktorë brenda institucioneve.

“Koha do të tregojë të vërtetën dhe do të nxjerrë në pah përgjegjësitë për këtë situatë”, ka theksuar Pacolli, duke shprehur besimin se faktet do të sqarojnë rrethanat që kanë çuar në zvarritjen e projektit.

Pavarësisht pengesave, ai ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e atyre që kanë kontribuar në realizimin e Aeroportit të Vlorës, duke nënvizuar se sakrifica, investimet financiare, angazhimi profesional dhe përballja me sfidat ligjore nuk mund të mohohen.

ARKATANA

Deklarata e Pacollit vjen në një kohë kur Aeroporti i Vlorës konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, ndërsa debati për vonesat dhe procedurat ligjore që e kanë shoqëruar atë vazhdon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik./rajonipress/

Postimi i plotë i Pacollit:

Është shqetësuese që në sistemin gjyqësor shqiptar një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët të injorojë, anulojë dhe të sfidojë hapur vendimet e Kolegjit të Gjykatës së Lartë, duke vendosur ndryshe për të njëjtat çështje juridike të trajtuara më parë nga instanca më e lartë e drejtësisë.

Një praktikë e tillë pos që damton rënd palën, cenon sigurinë juridike, hierarkinë gjyqësore dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe cenon rënd gjithashtu imazhin dhe seriozitetin e shtetit shqiptar.

Opinioni publik duhet të dijë se vonesat në përfundimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës dhe në fillimin e operacioneve po shkaktohen nga grupe të mirëorganizuara që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe që, sipas bindjes sonë, janë të lidhura me faktorë që veprojnë brenda institucioneve. Koha do të tregoi të vërtetën dhe do të nxjerrë në pah përgjegjësitë për këtë situatë.

Megjithatë, është e pamundur të mohohen kontributi, përkushtimi, sakrifica dhe puna e palodhur e atyre që kanë investuar dhe kanë mbajtur mbi supe barrën financiare, profesionale dhe ligjore të këtij projekti.