Behgjet Pacolli: “Mabco është palë e dëmtuar, tentativa për marrjen e kuotave dhe bllokimi i Aeroportit të Vlorës janë veprime të paligjshme”
Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht ndaj raportimeve dhe zhvillimeve rreth projektit të Aeroportit të Vlorës, duke mohuar çdo pretendim për hetime ndaj tij apo kompanisë Mabco.
Ai ka akuzuar ish-bashkëpunëtorë dhe grupe të caktuara për veprime të paligjshme, tentativë uzurpimi të kuotave dhe bllokim të projektit.
Me qëllim të sqarimit publik dhe përballë përpjekjeve të vazhdueshme të disa mediave që, qoftë qëllimisht apo për mungesë informacioni, po shtrembërojnë të vërtetën lidhur me zhvillimet rreth projektit të Aeroportit të Vlorës dhe kompanisë Mabco, dua të deklaroj me përgjegjësi të plotë sa vijon: Së pari, e sqaroj në mënyrë të prerë, të qartë dhe të pamohueshme se unë, Behgjet Pacolli, nuk kam qenë dhe nuk jam nën asnjë akuzë, e as nën ndonjë hetim nga cilado prokurori në Republikën e Shqipërisë.
Ky sqarim vlen po ashtu edhe për Emin Pacollin, për çdo anëtar të familjes sime, si dhe për çdo bashkëpunëtor që ka qenë apo vazhdon të jetë i lidhur me projektin e VIA-s.
Në të njëjtën kohë, tentativa për marrjen e paligjshme të 47% të kuotave të Mabco-s nuk ka qenë asnjëherë një proces për të cilin Mabco ka pasur dijeni apo ka dhënë pëlqim. Përkundrazi, bëhet fjalë për një veprim të organizuar në mënyrë të paligjshme dhe mashtruese, me pasoja serioze juridike, civile dhe penale.
Sipas informacioneve dhe dokumentacionit që posedojmë, ky veprim është kryer nga ish-administratori i VIA-s, Valon Lluka, i cili pas 18 vitesh bashkëpunimi ka tradhtuar besimin e dhënë për qëllime të përfitimit personal; nga noterja Valbona Selimi; si dhe nga Valon Ademi, pronar i 2% të kuotave të VIA-s.
Kjo çështje ndodhet aktualisht në trajtim civil dhe penal pranë gjykatës kompetente në Tiranë. Në këtë proces, Mabco është palë e dëmtuar dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e pronës, investimeve dhe interesave të saj legjitime.
Po të njëjtat grupe që kanë organizuar dhe mbështetur këto veprime të paligjshme janë edhe ato që, përmes vendimeve të disa gjyqtarëve, kanë arritur të bllokojnë në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme vazhdimin normal të punimeve në Aeroportin e Vlorës — një projekt strategjik me rëndësi të madhe ekonomike dhe zhvillimore.
E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore, për të mos thënë edhe me ndihmën, tolerimin apo mosveprimin e tyre.
Për këto zhvillime, çdo qytetar dhe çdo media serioze mund të informohet edhe zyrtarisht pranë organeve kompetente shtetërore.
Ndërkohë, Mabco është në proces të përgatitjes së një raporti të pavarur ndërkombëtar ligjor, i cili dokumenton dhe konfirmon natyrën e paligjshme të këtyre veprimeve, veçanërisht të sekuestrimit të padrejtë dhe të kundërligjshëm të Aeroportit të Vlorës.
Po ashtu, dua të sqaroj se deklarimet publike të relatuara nga Bujar Ejupi, pa asnjë tagër përfaqësues të VIA-s, përbëjnë vetëm interpretime të rreme dhe mashtruese të të ashtuquajturave kontrata, të cilat janë nënshkruar pa dijeninë e Mabco-s dhe në mënyrë abuzive, me qëllim dëmtimin e drejtpërdrejtë të interesave të kompanisë.
Këto kontrata janë denoncuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës dhe pritet që organet kompetente të deklarohen zyrtarisht lidhur me këtë çështje./rajonipress/


