Hidromorava

Befasitë e Washingtonit!

/ 4 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Sa më shumë po afrohen ditët e takimit të Washingtonit, në mes delegacionit të Prishtinës dhe Beogradit, aq më shumë po shtohen zërat mediatik se kush do të dalë fitues i këtyre negociatave.

Pala shqiptare tashmë ka marrë rrugë për në Amerikë, ndërsa përfaqësuesit nga Beogradi presin të nisen këto ditë, pasi të kenë përfunduar zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve në Mal të Zi, të cilat inkurajuan opozitën serbe me fitore të paparamenduar.

Si do që të jetë takimi i Uashingtonit, me befasira, apo me zhgënjime, procesi dialogues midis Prishtinës dhe Beogradit, nuk do të ndërpritet, përkundrazi ai do të kurorëzohet me marrëveshje të reja, të cilat do të sjellin një frymë bashkëpunimi mes dy popujve, që deri dje janë shkuar përmes grykës së pushkës.

Shqiptarët dhe serbët si dy popuj më të mëdhenj dhe më të fuqishëm të Ballkanit, duhet të heqin dorë nga mendësitë e vjetra luftarake, të cilat nuk sjellin paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Ata, nuk themi se duhet ta harrojnë të kaluarën e hidhur, por jo të jetojnë vetëm në kujtime, por duhet ta gjejnë një zgjidhje politike të qëndrueshme mes dy shteteve, për t’u hapur rrugë proceseve integruese, bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të mendojnë mirë se janë dy etnitete të shtrënguara të jetojnë njëra pranë tjetrës.

Një zgjidhje e mundshme politike në mes shqiptarëve dhe serbëve, qoftë përmes Washingtonit, Brukselit, apo ndonjë qendre tjetër ndërkombëtare, do të ishte prioritare të gjejnë së pari bekimin e të dy palëve, të cilat brenda kufijve shtetërorë lidhen me pakicat kombëtare, që jo rrallë pësojnë për shkak tensioneve dhe fërkimeve ndërshtetërore, ndërkufitare dhe ndërrajonale.

Mobi Casa

Shqiptarët në Serbi dhe serbët në Kosovë, të cilët përafërsisht janë të njëjtë si për nga numri i banorëve ashtu edhe për nga territoret, nuk ndihen të qetë dhe të sigurt aty ku jetojnë me shekuj, nëse negociatat mes dy shteteve, nuk marrin rrugën e mbarë për zgjidhje. Gjithashtu, nuk ndihet rehat as pala ndërkombëtare e involvuar në këto procese, për çka edhe ka investuar politikisht dhe ekonomikisht.

Pavarësisht se jemi në kohë pandemie, të cilës i kemi shpallur luftë nga të gjitha drejtimet, betejat paqësore për të gjetur një zgjidhje elegante në mes Kosovës dhe Serbisë, kurrë më afër nuk kanë qenë.

Shqiptarët, të cilët po faktorizohen në Ballkan, duke u nisur në presidentin Rama, i cili drejton OSBE-në, organizatën më të madhe evropianë për siguri, pastaj zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat kurorëzuan shqiptarët me fitoren më të madhe në historinë e këtij shteti, duke zënë gjashtë poste ministrore e kryeparlamentarin, pastaj fitorja e shqiptarëve në Mal të Zi, që mund të sjell pozitën e kryeministrit dhe shqiptarët në Luginë të Preshevës, me mundësi të kapjes së ndonjë ministrie, të cilën asnjëherë nuk e patën më parë.

Pas këtyre përparimeve të shqiptarëve si komb në tërësi dhe mundësisë së Washingtonit, për të gjetur një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme në mes Prishtinës dhe Beogradit, viti 2020 do të jetë një surprizë befasuese për popullin më të vjetër të Ballkanit, shqiptarët të cilët gjatë historisë bënë shumë luftëra, por mbetën të ndarë në shumë shtete e vilajet.