Beatrix Ramosaj do të pauzojë nga kënga

Pas një sërë suksesesh në fushën e këngës, Beatrix Ramosaj, ka vendosur që të bëjë pak pauzë në këtë periudhë për shkak të angazhimeve në mësime. Mirëpo sipas Beatrixit kjo pauzë nuk do të zgjasë shumë dhe rikthimin e saj ajo ka menduar ta bëjë me një energji të madhe, duke sjellë projekte të reja për adhuruesit e saj.
Ajo së fundi ka plasuar në treg një kover nga këngëtarja e njohur Rihanna, të cilën e prezantoi bashkë me vëllanë e saj Albanin dhe nga i cili bashkëpunim thotë se është ndarë mjaft e kënaqur. Ndërkaq sa i përket jetës private, ajo na bën të ditur se për momentin është “single”, por nuk harron të urojë festën e Shën Valentinit e cila është në prag. Për këngëtaren kjo festë mbetet një festë shumë e pëlqyer për shkak se i referohet dashurisë. Këngëtarja në intervistën dhënë “Zërit” na rrëfen më shumë edhe për jetën e saj jashtë këngës, punën dhe kohën e lirë.
Cila është arsyeja konkrete që ju shtyn të pauzoni në këngë?
Këtë vit jam maturante në shkollën Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku studioj për kanto. Këtë vit kam menduar t’i përkushtohem më shumë shkollës meqë jam viti i fundit, andaj mendova të bëja një pauzë të vogël në karrierë në mënyrë që më pas të rikthehem me më shumë projekte të reja. Në fakt me rikthimin tim do t’ia tregoj publikut Trixen e vërtetë të talentuar, se njerëzit mendojnë që unë nuk kam zë, por këtë gjë do ua vërtetoj shumë shpejt. Projekti i fundit është një kover që kam realizuar bashkë me vëllanë tim Albanin, një këngë nga Rihanna, e cila është pëlqyer shumë nga publiku. Këtë kover e realizuam që t’i prezantoj vëllanë tim publikut dhe që në këtë verë do të vijmë me një bashkëpunim që jam e sigurt që do të ketë shumë sukses! Koveri ka filluar të transmetohet dhe në radio të ndryshme dhe gjithashtu e kemi lansuar dhe në televizione.
Si e kalon Beatrix një ditë të zakonshme?
Unë bëj jetë normale si çdo gjimnaziste tjetër, shkoj në shkollë, kohën e lirë e kaloj me familjen dhe miqtë e mi të dashur. Në fundjavë këndoj në një klub në Tiranë te “Cavaliero”. Jetën e natës nuk e frekuentoj shumë për arsye sepse jam në punë. Kur kam kohë të lirë dal për vrap nga liqeni artificial bashkë me vëllanë tim. Gjatë mbrëmjeve më pëlqen të lexoj ndonjë libër apo diçka tjetër.
Cili sport ju pëlqen?
Edhe pse nuk e frekuentoj shumë sportin më pëlqen ta ndjek futbollin, por nuk merrem me ndonjë aktivitet të lirë.
Çfarë mund të na thuash për jetën sentimentale, ka në krahë Beatrix njeriun e zemrës?
Për momentin jam “single”, akoma nuk e kam njohur njeriun e zemrës. Shfrytëzoj rastin meqë jemi dhe afër festës së Shën Valentinit dua t’i uroj të gjithë ato që e kanë gjetur njeriun e zemrës gëzuar Shën Valentinin ditën e të dashuruarve. Kjo është një festë që më pëlqen mjaft shumë për shkak se ka të bëjë me dashurinë dhe iu referohet personave të dashuruar.
Çfarë synoni më tej?
Për të ardhmen kam shumë projekte të reja, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë por mendoj që këto projekte t’i lansoj edhe jashtë vendit. Ju premtoj që nuk do t’ju zhgënjej! Kur të nis së realizuari këto projekte do të mund të flasë më shumë.
Ndonjë mesazh për fund?
I falënderoj të gjithë fansat e mi për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë qëkur kam dalë për herë të parë në skenë. Ata kanë një vend shumë të rëndësishëm në zemrën time. I falënderoj shumë dhe një herë adhuruesit që pëlqejnë muzikën time! Ju do shumë Trixa.(zeri)