Fundamenti

BE: Thaçi ta pranojë që tjetërkush e ka shumicën në Parlament

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Diplomatët e BE-së kanë filluar të shqetësohen me insistimin me çdo kusht të PDK-së që ata të mbeten në pushtet ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe këtë sjellje e shohin si të dëmshme për interesat afatmesme dhe afatgjatë të Kosovës.

Kështu i kanë thënë “Kohës Ditore” disa diplomatë të lartë të vendeve anëtare të BE-së, duke përsëritur se zyrtarisht BE-ja ka vendosur të mos përzihet dhe t’ua lërë në dorë vetë kosovarëve që ta gjejnë rrugëdaljen nga kjo situatë.

“Nuk e di a është mirë për Kosovën apo keq kur pakkujt në BE i intereson se çfarë po ndodh atje. Disa vende nuk duan të përzihen, disave nuk u intereson fare. Ka në botë dhe në vetë BE-në aq shumë probleme saqë pakkush ka kohë dhe energji të merret me lojërat politike të Kosovës”, i ka thënë gazetës një diplomat i BE, i cili e ndjek mirë situatën në Kosovë.

Mobi Casa

Diplomatët e BE-së vazhdojnë të insistojnë se nuk do të përzihen në „çështjet e brendshme të Kosovës“ dhe se „u takon vetë strukturave politike të Kosovës t’i formojnë institucionet“. Por, tash pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, porosisin PDK-në se, me gjithë faktin se ajo doli e para në zgjedhje, dikush tjetër ka siguruar shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe se në Kuvend nuk mund të ekzistojnë dy shumica, por vetëm një.

“Në një moment Thaçi dhe PDK-ja duhet ta kuptojnë se, pa marrë parasysh a na pëlqen apo jo, ata nuk e kanë shumicën në Kuvend, por atë shumicë e ka siguruar dikush tjetër. E në botën demokratike pushtetin e ka ai që siguron shumicën në kuvend“, ka thënë një diplomat i BE-së, duke porositur edhe PDK-në që të mos i shikojë interesat e ngushta partiake, por interesat e Kosovës.