BE pret hetimet për të vendosur ndaj Serbisë, Reuten: Ndaleni zbutjen e autokratëve

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se po presin hetimet për të marrë vendime ndaj Serbisë për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në veri të Kosovës.

“Tash kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës, pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohen dhe përmbyllen hetimet. Dhe kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, pasi kjo të jetë e qartë do të marrim vendimet e duhura”, tha sot Stano.

Kundër kësaj ka dalë eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, i cili iu kërkoi shteteve të BE-së të ndalojnë zbutjen ndaj Serbisë dhe të autokratëve.

Mobi Casa

“Kjo është e pajustifikueshme! Ndaloni këtë zbutje krejtësisht katastrofike të autokratëve dhe destabilizuesve. Ju lutem shtetet anëtare të Këshillit të BE-së; korrigjoni këtë kurs tani! Stop zbutjes!”, ka shkruar Reuten në X.

Qeveria e Kosovës ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës që la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është duke publikuar vazhdimisht fakte të gjetura se Serbia është e lidhur me sulmin dhe në përgatitjen e sulmit dhe trajnimin e terroristëve. /Express/