BE për targat: Vendimi i Kosovës është legjitim, shtyerja 10 mujore do t’i jepet kohë të mjaftueshme zbatimit të këtij plani

Pas SHBA-së edhe Bashkimi Evropian ka thënë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se i është rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 10 mujore për riregjistrimin – kjo për shkak që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani.

“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat evropiane”, tha Stano.

Tutje theksoi se konkluzionet e lirisë së lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime.

“Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse për personat që posedojnë targat e caktuara”, tha më tej ai.

Sipas BE-së, shtyerja e vendimit për targa, gjithashtu do t’i mundësonte të gjithë serbëve në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës.

BE po ashtu ka kërkuar shmangie të tensioneve në veri.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe, potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeo-politik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, u shpreh Stano.

Ndërkaq, SHBA-ja të mërkurën ka thënë se synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe nëse në parim, nuk kanë mospajtime për të.

Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje./Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS