BE lavdëroi rolin pajtues të Jahjagës

BE-ja ka shprehur mirënjohje për Presidenten Jahjaga për dedikimin e saj që Kosova të jetë një vend më i mirë për popullin e saj.
Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefat e Misioneve të BE-së në Kosovë sot ishin nikoqirë të një drekë lamtumirëse për Atifete Jahjaga, Presidenten në largim të Kosovës, për ta falënderuar atë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm gjatë pesë viteve të kaluara.
Diplomatët e BE-së lavdëruan veçanërisht rolin e Presidentes Jahjaga në përpjekjen për të pajtuar ndarjet politike në Kosovë, për të qëndruar mbi politikën partiake dhe për të punuar në interes të popullit të Kosovës në mënyrë unifikuese, duke demonstruar lidership.
“Gjatë pesë viteve të kaluara, Presidentja Jahjaga punoi për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për popullin e saj. Ajo mbështeti përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe ngritjen e vetëdijes për dëmin që i shkaktohet zhvillimit të shoqërisë kosovare nga kjo. Presidentja ka qenë një avokate e fuqishme e rritjes së rolit të gruas në Kosovë dhe ka qenë veçanërisht mbështetëse e femrave viktima të dhunës seksuale. Ajo po ashtu punoi me zell në integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën publike”, thuhet në një njoftim të postuar në faqen zyrtare të Jahjagës.
“Gjatë punës së saj, Presidentja punoi për avancimin e aspiratave evropiane të Kosovës dhe përafrimit të saj me vlerat evropiane. Ajo kontribuoi dukshëm në ngritjen e profilit të Kosovës ndërkombëtarisht.
E gjithë familja e BE-së në Kosovë i dëshiron Presidentes Jahjaga suksese në jetën e saj personale dhe profesionale”.