BE kërkon hetim për ngjarjet në Kumanovë
Komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar hetim objektiv të asaj që ndodhi sot në Kumanovë, ku për rreth 16 orë u zhvilluan luftime mes Policisë dhe një grupi të armatosur.
“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet në rajonin e Kumanovës, ku u vranë dhe u plagosën njerëzit. Ne presim nga Qeveria dhe të gjithë liderët politikë dhe udhëheqësit e komunitetit që të punojnë së bashku për të rivendosur paqen dhe për të hetuar plotësisht ngjarjet në mënyrë objektive dhe transparente, në përputhje me ligjin”, thuhet në deklaratën e komisionarit Hahn.
Tutje, ai ka shtuar se kërkon nga të gjithë akterët që të tregojnë përmbajtje.
Sipas tij, duhet të shmanget përshkallëzimi i situatës, në interes të stabilitetit dhe interesit të përgjithshëm të vendit.

