BE-ja më tolerante ndaj Thaçit: I jep afat deri në shtator për Specialen
Për dallim nga zyrtarët e lartë amerikanë, që po kërkojnë me ngulm që Gjykata Speciale të themelohet nga Kuvendi i Kosovës deri më 1 gusht, zyrtarët e Bashkimit Evropian duket se janë më tolerantë sa u përket ultimatumeve.Një diplomat i akredituar në Kosovë, në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se zyrtarët e Bashkimit Evropian, si mundësi për themelimin e Gjykatës Speciale e shohin edhe muajin shtator.
“Nëse Hashim Thaçi nuk i ka votat e sigurta që Gjykata Speciale të themelohet gjatë javës tjetër, atëherë më mirë është që kjo çështje të shtyhet për muajin shtator, ngase në të kundërtën, nëse sërish dështon Kuvendi, Kosova mund të futet në krizë politike. Dhe kësisoj çështja e Gjykatës Speciale të shtyhet edhe për disa muaj të tjerë”, ka thënë ky diplomat në kushte anonimiteti.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar Adem Grabovci ka thënë për Gazetën Blic se Gjykata Speciale duhet të formohet dhe do të formohet. Sipas tij, deputetet nuk bën në asnjë mënyrë që të rrezikojnë raportet me SHBA-të dhe me BE-në, prandaj ai ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro.
Grabovci nuk ka dashur që të flas nëse PDK i ka numrat, por ka thënë se janë në pritje të Qeverisë për riprocedim të amendamentit kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Speciales.
Gazeta Blic ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë, Arban Abrashin, mirëpo ky i fundit me të marrë vesh se për çfarë teme bëhet fjalë, më nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje.
Ndërkohë, shefi i ekzekutivit, Isa Mustafa dje në një konferencë për medie i ka kërcënuar deputetët se nuk do të ketë pushim, derisa të votohet Gjykata Speciale.
Burime brenda Qeverisë kanë thënë se sipas të gjitha gjasave gjatë javës së ardhshme do të riprocedohet në Kuvend amendamenti kushtetues. “Ende jemi në pritje të sinjalit nga PDK. Derisa PDK nuk i ka votat, nuk ka logjikë që të riprocedojmë me këtë amendament kushtetues”, ka thënë ky burim.
Edhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi pas takimit që kishte me deputetët e partisë së tij, para disa ditësh tha për medie se Gjykata Speciale do të votohet, atëherë kur do t’i kenë numrat. /Gazeta Blic/


