Uji Dea

BE-ja ia mësyn “Trepçës”, pas shumë koncesioneve kosovare

/ 11 minuta lexim
ARKATANA

Të gjithë kundër përfshirjes së metalurgjikut në bisedimet me Serbinë

“Deklarata e djeshme nga Zyra e Zonjës Mogherini, se Kuvendi i Kosovës nuk mund të vendosë për Statutin e “Trepçës”, porse kjo duhet të jetë temë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel jo vetëm është skandaloze, por e cenon thellësisht sovranitetin e Kosovës. Kjo deklaratë nuk duhet të heshtet, përkundrazi duhet të ndërpritet çdo lloj bashkëpunimi me Zyrën e Mogherinit derisa kjo Zyrë të tërhiqet plotësisht nga një deklaratë e tillë. Kosova dhe përfaqësuesit e saj politikë, pas 17 Shkurtit 2008, kanë bërë mjaft lëshime dhe gabime në bisedat e Brukselit”, thotë Milazim Abazi për “Kosova Sot”

Kërkesa e BE-së për përfshirjen e “Trepçës” në dialogun me Serbinë, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Zëdhënësja e zyrtares së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, Maja Kocijançiq, ditë më parë tha se Kosova e Serbia duhet të negociojnë për “Trepçën” në Bruksel. Bazuar në vlerësimet e njohësve të kësaj fushe dhe deputetëve të opozitës, “Trepça” po rrezikon që të përfshihet në bisedimet me Serbinë. Sipas njohësve të kësaj fushe, vlerësohet se është skandaloz reagimi i BE-së pas miratimit të Statutit të “Trepçës” nga Kuvendi. Analistët pyesin se përse BE-ja, pothuajse çdo herë po del në krah të Serbisë e kundër Kosovës.

Ata thonë se, deklarimi i Kocijançiqit për “Trepçën”, është skandaloz, gjë që tregon në një mënyrë ose në një tjetër që sovraniteti në Kosovë nuk qenka nga populli, por nga Bashkimi Evropian, që BE-ja po vendoska për asetet dhe sovranitetin e Kosovës. Sipas deputetëve të opozitës, kjo i bie se Bashkimi Evropian nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe përtej kësaj e mbështet sovranitetin e Serbisë mbi shtetin dhe territorin e Kosovës. Sipas analistëve, duhet të kushtëzohet dialogu edhe nga ana e palës kosovare.

Pasuri natyrore e Kosovës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se nuk pranojnë asnjë diskutim në lidhje me “Trepçën” dhe për këtë është e rëndësishme që i gjithë spektri të jemi unik. Në një status të publikuar në “Facebook”, Lluka ka theksuar se deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, se “Trepça” duhet të jetë pjesë e dialogut, është krejtësisht e papranueshme, e pamatur dhe si e tillë dëmton edhe perspektiven e dialogut dhe objektivat e arritjes së një marrëveshjeje për njohje reciproke.

“’Trepça’ është pasuri natyrore e kombëtare e Republikës së Kosovës, brenda sovranitetit të shtetit tonë. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, se ‘Trepça’ duhet të jetë pjesë e dialogut është krejtësisht e papranueshme, e pamatur dhe si e tillë dëmton edhe perspektiven e dialogut dhe objektivat e arritjes së një marrëveshje për njohje reciproke. Një temë e tillë nuk duhet të shtrohet në asnjë mënyrë në tavolinën e diskutimit, rrjedhimisht çfarëdo pretendimi për ‘Trepçën’ do të jetë i dështuar dhe i papranueshëm.

Me Ligjin për ‘Trepçën’ të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përveç të tjerash, është e përcaktuar qartë pronësia e ‘Trepçës’. Për më tepër, javën e shkuar, Kuvendi i Kosovës miratoi me 2/3 e votave edhe Statutin e Ndërmarrjes ‘Trepça’ Sh.A, i cili i hap rrugë konsolidimit dhe investimeve drejt zhvillimit të gjigantit tonë ekonomik, ‘Trepça’. Ne nuk pranojmë asnjë diskutim në lidhje me ‘Trepçën’ dhe për këtë është e rëndësishme që i gjithë spektri të jemi unik!’Trepça’ është e jona”, ka shkruar Lluka.

Sindikata kundër Brukselit

Lideri i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të “Trepçës” , Shyqiri Sadiku, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se Sindikata e tyre ka dalë me një deklaratë të ashpër për sa i përket zëdhënësit të Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, që kishte deklaruar se “Trepça” do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë. “Është qëndrim i Sindikatës, se diskutimi për ‘Trepçën’ e cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës, si dhe ‘Trepça’ është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës.

Sindikata e pavarur e minatorëve të ‘Trepçës’ reagon ashpër ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, që ‘Trepça’ të jetë si temë diskutimi në dialogun në Bruksel. ‘Trepça’ është e minatorëve, ‘Trepça’ është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës. Diskutimi për ‘Trepçën’ cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Paralajmërohen protesta

Siç ka njoftuar për gazetën “ Kosova Sot” lideri i Sindikatave të ‘Trepçës’, Shyqiri Sadiku , është pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, me të cilin kanë diskutuar lidhur me deklarimet e fundit të zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq. Në këtë takim është diskutuar lidhur me dy tema rreth deklarimit të zëdhënëses, e cila ka thënë se çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, edhe përkundër faktit që Kuvendi i Republikës së Kosovës para pak ditësh ka votuar Statutin e ri për “Trepçën”.

KKVITI

Kryetari i Sindikatës, Sadiku tha se së bashku me kryetarin Bahtiri e kundërshtojnë fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq, duke thënë se tema mbi “Trepçën” nuk guxon të jetë asnjëherë pjesë e diskutimeve në Bruksel, sepse “Trepça” është e minatorëve, dhe përbën një pasuri kombëtare, andaj diskutimi për “Trepçën” cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës. “Të dy palët ishin të pajtimit që zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, të tërheqë qëndrimet e saj për çështjen e ‘Trepçës’ përmes një deklarate, përndryshe Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shumë shpejt do të organizojnë protesta para zyrave të BE-së në Prishtinë”, ka vlerësuar ai.

“Trepça”, në bisedime vetëm teknike

Analisti politik Skënder Mulliqi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se nuk ka më mirë se kur të gjithë liderët institucionalë flasin me një gjuhë, kur është në pyetje interesi nacional. “Deklarata e Kocijançiqit, se edhe ‘Trepça’ duhet të jetë temë e bisedimeve më shumë politike se teknike që po zhvillohen që shumë kohë, e nuk ishte dashur të pranohet nga pala shqiptare, të cilën gjë e kam thënë shumë herë deri më sot, i detyroi ndoshta për herë të parë të parin e Kuvendit, Kadri Veselin, kryeministrin Ramush Haradinajn dhe kryetarin e LDK-se, Isa Mustafën, që ta kundërshtojnë këtë deklaratë të zonjës Kocijançiq, e cila nuk është gjë tjetër veç ndarje e Kosovës mbi baza etnike”, u shpreh ai.

“E gjithë kjo bie ndesh edhe me qëndrimet e deritashme të BE-së për mosndryshim të kufijve të pranuar tashmë nga shumë shtete ndërkombëtarisht. Nëse faktori politik shqiptar nuk bëhet unik, duket se do të na përsëritet historia e mbamendjes së keqe për shqiptarët në trojet etnike. Të mos harrojmë se hilet karshi shqiptarëve nuk janë lënë pas dore kurrë nga aleatët e Serbisë dhe Rusisë në Evropë. Është rasti historik që t’i mbrojmë territoret shqiptare nga ricopëtimi nga fqinjët tanë grabitqarë serbosllavë. Serbia e shumëfishoi historikisht territorin e saj, në dëm të shqiptarëve. Të dalim me një platformë politike të përbashkët dhe të bëhemi unikë se në pyetje mund të vijë edhe mbrojtja e qenies tonë kombëtare…”, ka vlerësuar Mulliqi.

Një deklaratë skandaloze

Ndërsa bankieri Milazim Abazi, për gazetën “ Kosova Sot, tha se deklarata e djeshme nga Zyra e Zonjës Mogherini, se Kuvendi i Kosovës nuk mund të vendosë për Statutin e “Trepçës”, porse kjo duhet të jetë temë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, jo vetëm është skandaloze, por e cenon thellësisht sovranitetin e Kosovës. “Kjo deklaratë nuk duhet të heshtet, përkundrazi duhet të ndërpritet çdo lloj bashkëpunimi me Zyrën e Mogherinit derisa kjo Zyrë të tërhiqet plotësisht nga një deklaratë e tillë. Kosova dhe përfaqësuesit e saj politikë, pas 17 Shkurtit 2008, kanë bërë mjaft lëshime dhe gabime në bisedat e Brukselit”, u shpreh ai.

Sipas Abazit, ndër gabimet më të mëdha janë: pranimi i gjashte pikave të Ban Ki- Moon-it pas lëshimeve të jashtëzakonshme që Kosova bëri me Pakon e Ahtisarit; pranimi i fusnotës, pas shpalljes së Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare se Pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare; nënshkrimi i Marrëveshjes me Serbinë në Bruksel me 19 prill 2013; nënshkrimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi; nënshkrimi i Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë; marrëveshja e drejtësisë me të cilën është cenuar rendi kushtetues i Kosovës, nënshkrimi i Marrëveshjes për energjinë dhe telekomin, të dyja këto marrëveshje si dhe Marrëveshja e drejtësisë i kanë krijuar taban shtetëror Asociacionit të komunave serbe si Republike serbe dhe kanë cenuar rëndë sistemin unik ekonomik të Kosovës”, potencoi ai.

“Të gjitha marrëveshjet e Brukselit, të nënshkruara me Serbinë, në vend se ta nxjerrin Serbinë jashtë Kosovës, e kanë rikthyer Serbinë brenda duke e bërë Serbinë dhe Listën Serbe, faktorë vendimmarrës në çdo pore të jetës në Kosovë. Të gjitha këto dëme i janë bërë Kosovës nga përfaqësuesit e saj dhe fatkeqësisht askush nuk ka dhënë përgjegjësi, përkundrazi janë duke na shitur mend se kanë bërë punë të mirë”, ka thënë Abazi. Sipas tij, si masë preventive Kosova duhet të ndërpresë dialogun me Brukselin dhe të tërhiqet nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë në Bruksel derisa të përfundojnë zgjidhjet e sivjetme për Parlamentin Evropian. Pas këtyre zgjedhjeve mund të fillohet me dialogun, por duke i përjashtuar nga përfaqësimi të gjithë ata që deri tash kanë përfaqësuar Kosovën në dialog.

BE-ja i del në krah Serbisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Salih Salihu (PSD), për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se vërtet është shqetësuese deklarata e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq, që tha se Kosova e Serbia duhet të negociojnë për “Trepçën” në Bruksel. “Prandaj, pas kësaj deklarate kam frikën se, ‘Trepça’ po rrezikon që të përfshihet në bisedimet me Serbinë, që po mbahen tash e tri vjet në Bruksel. Kjo, ngase vërtet është skandaloz reagimi i BE-së pas miratimit të Statutit të ‘Trepçës’ nga Kuvendi i Kosovës. Prandaj, e them lirshëm se BE-ja, pothuajse çdo herë po del në krah të Serbisë e kundër Kosovës. Prandaj, unë vlerësoj se me këto deklarata të zyrtarëve të BE-së, që thonë se për ‘Trepçën’ duhet të flitet në Bruksel me Serbinë, tashmë BE-ja nuk mund që të jenë ndërmjetës në dialogun mes dy vendeve.

Sepse kjo deklaratë e z. Kocijançiq e cenon sovranitetin e Kosovës”, potencoi ai. Sipas tij, deklarimi i Kocijançiqit për “Trepçën” është skandaloz, gjë që tregon në një mënyrë ose në një tjetër që sovraniteti në Kosovë nuk qenka nga populli, por nga Bashkimi Evropian, që BE-ja po vendoska për asetet dhe sovranitetin e Kosovës. “Prandaj, e them lirshëm se me këto pretendime po rrënohet çdo perspektivë të dialogut. Kjo i bie se Bashkimi Evropian nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe përtej kësaj e mbështet sovranitetin e Serbisë mbi shtetin dhe territorin e Kosovës. Pra, e them lirshëm se ky është një cenim i hapur, i drejtpërdrejtë, nga zyrtarja e një teknokrate të BE-së në raport me territorin e Kosovës”, u shpreh Salihu.

(Kosova Sot)