Fundamenti

BE-ja dhe Macroni kanë qasje të gabuar ndaj Kosovës”/ Schneeberger thotë se Kosovës po i bëhet padrejtësi

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Një gabim në përkthim gjatë Samitit të mbajtur në Tiranë, bëri që të keqkuptohej deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, opinionistë dhe aktivistë të shumtë kanë konsideruar që një gjë e tillë në asnjë formë nuk bën të shfrytëzohet si “kërcënim” për Kosovën.

Këshilltarja Lokale e BE-së, Kati Schneeberger, në një intervistë ekskluzive për Indeksonline-n ka thënë se ndonëse gabim teknik, kjo çështje nuk mund të kombinohet kundër Kosovës.

Ajo thotë se Macroni nuk ia ka idenë se si është situata aktuale dhe e vërtetë në veri të Kosovës.

“Përpara se zoti Macron të bëjë kërkesa të tilla të papërshtatshme dhe kërcënime subkoshiente herën tjetër, unë e rekomandoj fuqimisht që të vizitojë veriun e Kosovës dhe të bisedojë me qytetarët e prekur. Ky kërcënim është me të vërtetë krejtësisht i panevojshëm. Kjo tregon se Macroni nuk ka asnjë ide për situatën reale dhe nuk ka interes për një zgjidhje të qëndrueshme. Deri tani, kjo zbutje nuk e ka zgjidhur konfliktin në veri të Kosovës dhe nuk e ka afruar Vuçiqin me BE-në. Përkundrazi, Vuçiqi po udhëton në Kinë për t’u takuar me Xi-në dhe Putinin. Kërcënime të tilla janë në dobi të të gjithë atyre që duan të dobësojnë Evropën dhe BE-në duke krijuar konflikt midis tyre”, ka thënë Schneeberger.

Ajo thotë se vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës ka qenë qasje e gabuar që në fillim, teksa loja që po bën Vuçiqi në dëm të stabilizimit të situatës është e rrezikshme.

“Sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen. Menjëherë! BE-ja e kishte gabim që në fillim. Kosova u fajësua dhe u ndëshkua për zbatimin e demokracisë. Vuçiqi është ai që në fakt po e përshkallëzon situatën dhe po rrezikon një konfrontim të përgjakshëm apo edhe luftë. Zbutja karshi Vuçiqit duhet të përfundojë menjëherë dhe duhet të vendosen sanksione ndaj tij. Ka mjaftueshëm prova për përfshirjen serbe në sulmin terrorist të 24 shtatorit. Çfarë më tepër janë të gatshëm të rrezikojnë vendimmarrësit e BE-së përpara se të veprojnë dhe t’i japin fund lojës së rrezikshme të Vuçiqit?” shtoi ajo.

Eco Higjiena

Këshilltarja e BE-së deklaroi se është lëvizje jo e mençur që ndaj Kosovës të vijojnë padrejtësitë që po bëhen konform situatës në veri.

Sipas saj, Kosova po punon në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, dhe se kjo është pikërisht ajo çfarë Bashkimi Evropian kërkon nga shtetet që synojnë anëtarësimin.

“Nga të gjitha vendet, Kosova po punon më intensivisht dhe më me sukses për këtë [anëtarësim] dhe po ndëshkohet. Ende nuk ka statusin e kandidatit, por ka sanksione. Nga ana tjetër është Serbia! Dëshira për t’u anëtarësuar në BE vështirë se dallohet, as nga qeveria e as nga popullata, megjithëse Serbia është në mes të procesit të negociatave. Në vend të kësaj, është e qartë se Serbia udhëhiqet në mënyrë autokratike dhe nuk është e gatshme të mbështesë vendime të përbashkëta, siç janë sanksionet kundër Rusisë”, ka shtuar Schneeberger.

Ajo po ashtu deklaroi se është takuar me përfaqësuesit serbë në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, të cilët kanë pohuar se duan të jetojnë në paqe dhe pa u kërcënuar nga Beogradi, Lista Serbe apo kriminelët e tjerë?!

Madje, sipas Schneebergerit, qytetarët serbë të veriut janë pro klasifikimit të Listës Serbe si “organizatë terroriste”.

“Serbët e Kosovës nuk kanë interes të lejojnë të keqpërdoren më për lojërat e Vuçiqit. Ata duan një jetë normale, të mirë, pa u shantazhuar apo kërcënuar nga Beogradi përmes Listës Serbe dhe kriminelëve të tjerë. Ata duan që partia të klasifikohet si organizatë terroriste, gjë që duket e justifikuar më së voni pas 24 shatorit. Vetëm atëherë mund të ketë zgjedhje, vërtet demokratike në të katër komunat, me alternativa elektorale për votuesit, për të cilat njerëzit do të guxojnë të votojnë. Këtu nevojitet përkrahja e BE-së, por jo kërcënimet dhe kërkesat këmbëngulëse ndaj Kosovës, të cilat nuk bazohen në realitet dhe nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit, përkundrazi e përkeqësojnë situatën edhe më shumë” përfundoi Schneeberger./Indeksonline/