BE: Gjykata nuk vë në provë UÇK-në, procesi i besueshëm i heq njollën Kosovës

Në një shkrim te të përditshmes franceze “Le Monde” thuhet se Gjykata Speciale nuk ka për qëllim inkriminimin e UÇK-së, e as të vë ne dyshim pavarësinë e Kosovës. E gjitha kjo duhet të bëhet për të hequr “njollën” që Kosova ka marrë pas akuzave të Dik Martyt.
Qeveria e Kosovës ka dhënë mbështetjen e saj për projektin evropian, për të themeluar një gjykatë ndërkombëtare për hetimin e krimeve të kryera gjatë dhe pas luftës në mes të ushtrisë çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave serbe të Sllobodan Millosheviqit, në mes të vitit 1998 dhe 2000, tha , të premten, me 11prill, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Megjithatë, ligji për themelimin e gjykatës , i cili do të debatohet javën e ardhshme në parlamentin e Kosovës, nuk do të kalojë pa polemika.
Kjo gjykatë, në të cilin do të shërbejnë gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, do të bazohet në rezultatet e hetimit të kryer nga një ekip i veçantë i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX).
Çështja u hap në vitin 2011, pas raportit të Dik Marti, një senator zviceran i emëruar nga këshilli i Evropës, për të hetuar akuzat për trafikim organesh.
Sipas raportit, më shumë se 1.800 shqiptarë dhe serbë kosovarë janë zhdukur gjatë konfliktit dhe rreth 500 të tjerë , kryesisht serbë, janë zhdukur pas luftës.
Pretendohet se disa prej tyre u transferuan në Shqipëri dhe u vranë, në mënyrë që të merren organet e tyre. Senatori theksoi anëtarët e UÇK-së që i përkasin, “grupit të Drenicës”, të përfshirë në krim të organizuar dhe lider i të cilëve ishte, kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.
Nga ana tjetër, BE këmbëngul se : “Kjo nuk është gjykatë që vë në provë UÇK-në dhe nuk është një gjykatë mbi pavarësinë e Kosovës”.
Raporti i Martit ka hedhur një hije mbi Kosovën, thotë Fred Abrahams, nga, “Human Rights Watch”. Për të fshirë këtë njollë, është e nevojshme që të ketë një proces gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm.
Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem. Ish- prokurori në tribunalin e Hagës, amerikani Clint Williamson, drejton ekipin hetimor. Ai duhet të përfundojë hetimin e tij “në muajt e ardhshëm”, tha zëdhënësi i tij, Joao Sousa. Pritet që akuzat e para të ngriten gjatë verës. /Zëri/