BE deklarohet rreth hyrjes së xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës

Bashkimi Evropian është në dijeni për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës.

Të shtunën që e lamë pas (7 gusht), xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Hyrja e tyre kishte ngjallur frikë te banorët dhe reagime të ndryshme nga skena politike.

Ndërkaq, ka qenë vetë KFOR-i që është deklaruar rreth hyrjes së tyre, pasi që kjo pjesë e territorit të Kosovës është nën kompetencë të tyre.

Sipas KFOR-it, në Karaçevë ishin kryer patrullime të sinkronizuara, e që sipas tyre, patrullime të tilla realizohen që nga viti 2008.

“Më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonoc, në komunën e Kamenicës. Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative”, thuhej në sqarimin e KFOR-it.

Lajmi.net, ka kërkuar sqarime edhe nga Bashkimi Evropian, nëse janë të njoftuar rreth hyrjes së xhandarmërisë serbe në Kosovë dhe cili është reagimi i tyre.

Zëdhënësi kryesor i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Peter Stano, nuk ka dhënë ndonjë koment, por thjeshtë ka bërë të ditur se e kanë parë reagimin e KFOR-it, duke thënë se për detaje të tjera duhet t’iu referoheni autoriteteve kosovare.

“Ne kemi parë informacionin e dhënë nga KFOR-i të shtunën. Pyetjet e mëtejmë duhet t’i drejtohen atyre apo autoriteteve kompetente të Kosovës”, ka thënë Stano për lajmi.net.

Dy ditë pasi xhandarët serbë u panë duke patrulluar në Karaçevë, në të njëjtën zonë janë incizuar duke patrulluar edhe Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, gjatë së dielës ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka thënë se patrullimi i xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ka qenë i paautorizuar, pasi që siç ka theksuar ajo, askush ka mandat të bëjë patrullime me xhandarmerinë serbe brenda territorit e Kosovës./Lajmi.net/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).