Bayern kërkon Fekën

Bayern Munichut shumë shpejt mund t’i shtohet edhe një futbollistë kosovar. Ai është talenti Dren Feka, i cili luan për të rinjtë e Hamburgut. Skautët e gjigantit bavarez e kanë vëzhguar për disa muaj nga afër 15 vjeçarin derisa tani i kanë bërë edhe ofertë.
Pas Xherdan Shaqirit dhe Ylli Sallahit (Bayern U19), gjiganti gjerman Bayern Munich shumë shpejt në radhët e veta mund ta transferojë edhe një futbollist kosovar.
Bëhet fjalë për talentin 15 vjeçar Dren Feka, i cili luan për të rinjtë e skuadrës së Hamburgut.
Mbrojtësi me prejardhje nga Vushtrria, me paraqitjet e shkëlqyeshme që po bën me ekipin gjerman, ka zgjuar interesimin e drejtuesve të Bayern Munichut, respektivisht ekipit U17.
“Bayern Munich e ka vëzhguar për katër muaj me radhë Drenin dhe tani ka shprehur interesim që ta transferojë në ekipin U17”, ka deklaruar babai i Drenit, Driton Feka për Express.
Drejtuesit e ekipit bavarez për ta bindur Fekën që të transferohet në ‘Allianz Arena’, javën e kaluar i kanë bërë ftesë që së bashku me babanë dhe menaxherin e tij, ta vizitojnë klubin nga afër.
“Te enjten e kaluar, drejtori sportiv i ekipit të të rinjve, Michael Tarnat na ka ftuar në klub. Gjatë kësaj vizite kemi pasur një drek pune me drejtuesit e ekipit, të cilët kanë dashur ta njoftojnë Drenin me ambientin dhe me kushtet që ka ky ekip”, ka theksuar Feka.
“Bayern, i ka ofruar kontratë trevjeçare Drenit, por rreth kësaj ende nuk është biseduar asgjë gjatë takimit, pasi ende nuk kemi vendosur a do të largohet Dreni nga Hamburug apo jo”, thotë ai.
Dreni me Hamburgun ka kontratë deri me 30 qershor të këtij viti dhe nëse nuk e vazhdon atë mund të transferohet në Bayern si lojtar i lirë. Por sipas Fekës, Hamburgu po bën përpjekje që mos ta humbë talentin 15 vjeçar.
“Skuadra e Hamburgut i ka ofruar Drenit kontratë dyvjeçare, por ende nuk e kemi nënshkruar. Ne do t’i shikojmë dy opsionet dhe pastaj do të zgjedhim më të mirën”, ka përfunduar Feka.
Dren Feka muajin e kaluar ka debutuar edhe në fanellën e ekipit U17 të Shqipërisë në ndeshjen miqësore kundër Sllovenisë. 15 vjeçari i ka lënë përshtypje të mira selektorit Dzemal Mustedanagiç, i cili llogarit shumë në shërbimet e tij.(express)